FFK delegon një pjesë të kompetencave te Lidhjet Rajonale të Futbollit

FFK delegon një pjesë të kompetencave te Lidhjet Rajonale të Futbollit

Federata e Futbollit të Kosovës ka mbajtur takim me kryetarët, sekretarët dhe administratorët e Lidhjeve Rajonale të Futbollit, në prani të strukturës komplete të këtij institucioni, përfshirë presidentin Agim Ademi, sekretarin e përgjithshëm, Eroll Salihu dhe anëtarin e KE-së, Ismajl Ajeti.

Në takim është diskutuar rreth digjitalizimit të garave si dhe proceseve tjera, ku rol të veçantë do të kenë Lidhjet Rajonale. Poashtu u dhanë detaje rreth procesit të regjistrimit të lojtarëve si dhe reformave të sistemit elektronik ‘FIFA Connect’, ku shumë procese do t’i delegohen Lidhjeve Rajonale.

Presidenti Agim Ademi theksoi se qëllimi është që t’u jepet më shumë kompetencë LRF-ve dhe të decentralizohet procesi i regjistrimit të lojtarëve, në mënyrë që shkollave dhe klubeve të futbollit t’u lehtësohet puna në këtë aspekt. Ai poashtu kërkoi nga LRF-të që të angazhohen më shumë edhe rreth procesit të sigurimit të ngastrave nga komunat për ndërtimin e fushave stërvitore, duke kërkuar poashtu që ato të jenë sa më afër qyteteve, në mënyrë që të jenë më funksionale dhe fëmijëve t’u lehtësohet shkuarja në stërvitje.

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, theksoi se FFK e ka prioritet ngritjen dhe zhvillimin e LRF-ve, në mënyrë që puna efikase dhe profesionale të nisë që nga baza. Ai bëri me dije se me qëllim të informimit sa më të mirë me procesin e digjitalizimit dhe regjistrimit të lojtarëve në LRF, gjatë javës do të mbahet edhe një workshop me sekretarët dhe administratorët e LRF-ve.

Ndërkaq, menaxheri i sistemit FIFA Connect, Dardan Sadiku, ua ka shpjeguar të pranishmëve procedurat rreth decentralizimit të punëve në LRF, sa i përket regjistrimit të lojtarëve amatorë.

Related Articles