Futbolli kosovar është në zi, pasi ka ndërruar jetë futbollisti i ri Leon Syla.
Talenti prishtinas i 2 Korrikut ka ndërruar jetë ditën e mërkure duke lënë të pikëlluar të gjithë te 2 Korriku, por edhe gjithë komunitetin e futbollit në vendin tonë.
Shtëpia më e madhe e futbollit kosovar, FFK ka dërguar një telegram ngushëllimi në drejtim të 2 Korrikut dhe te familja Syla për humbjen e një talenti të madh.
Telegram ngushëllimi nga FFK:
E nderuar Familje Syla!
Të nderuar drejtues dhe staf i FC 2 Korriku!
Me pikëllim të madh e morëm lajmin për ndarjen e hershme nga jeta të më të dashurit tuaj, futbollistit të FC 2 Korriku, Leon Syla.
Nuk ka fjalë të mjaftueshme për të shprehur dhimbjen tonë për humbjen e një djaloshi të ri dhe të talentuar sikur Leoni.
Ikja e tij e hershme nga kjo botë preku zemrat e gjithsecilit në komunitetin e futbollit. Leoni ishte shembull i vërtetë luftaraku, jo vetëm në fushën e futbollit, por edhe në betejën e tij me sëmundjen e rëndë.
Sot të gjithë jemi me lot në sy dhe dhimbje në zemër, por shpresojmë që kujtimet e bukura dhe sukseset e Leonit do të jenë burim ngushëllimi dhe force për Ju për ta përballuar dhimbjen e madhe.
Në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe tërë komunitetit të futbollit ju dërgojmë ngushëllimet tona më të thella dhe të sinqerta për humbjen e më të dashurit tuaj.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Leonin!
Me respekt,
KE i FFK-së