Federata e Futbollit e Kosovës ka përsëritur biletat për ndeshjen kualifikues të Kosovës kundër Spanjës për Kupën e Botës nuk janë në treg, duke iu bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e mashtrimeve.
Kombëtarja e Kosovës e pret Spanjën sonte në orën 20:45 në Stadiumin Fadil Vokrri në kryeqytet, për ndeshjen e Grupit B kualifikues për Botërorin 2022.
Për shkak të masave të rrepta kufizuese të pandemisë Covid-19 dhe faktit se lejohet mbushja e vetëm 10% e kapacitetit të stadiumit, Federata e Futbollit e Kosovës vendosi të mos nxjerr në shitje bileta për ndeshjen e së mërkurës mbrëma. Biletat në dispozicion iu dhanë tifozëve zyrtarë të ekipit kombëtar, zyrtarëve dhe stafeve të dy ekipeve.
Por në ditën e ndeshjes, në disa faqe në rrjetet sociale janë nxjerrë bileta në shitje në treg të zi, nga persona që tashmë ishin pajisur falas me to.
Shtëpia e futbollit në vend ka reaguar për këtë, sic ishte detyruar të reagonte edhe për ndeshjen paraprake me Greqinë të dielën.
“Federata e Futbollit e Kosovës sqaron opinionin se edhe në ndeshjen Kosovë – Spanjë, në bazë të masave të Qeverisë kundër COVID-19, do të shfrytëzohet vetëm 10 % e kapacitetit të stadiumit “Fadil Vokrri” dhe të gjitha biletat jepen falas. Në këtë përqindje përfshihen: stafi organizativ, tifozëria “Dardanët”, ekipet e të dyja kombëtareve dhe zyrtarët”, thuhet në reagim e FFK-së.
FFK-ja bëri thirrje që të raportohen rastet e keqpërdorimit të biletës.
Të gjithë ata të cilët janë pajisur me bileta kërkojmë që të jenë të përgjegjshëm dhe të mos i keqpërdorin ato. Po ashtu, ftojmë opinionin që të kenë kujdes dhe të mos bien pre e mashtruesve, të cilët mund të vendosin bileta false në treg, pasi të gjithë biletat janë falas dhe e kanë kodin e sigurisë, pa të cilin hyrja në stadium është e pamundur. Në rast se keni njohuri për keqpërdorim të biletave nga persona të caktuar, ju lusim që ato raste t’i denonconi në policinë e Kosovës.”
Kosova është pothuajse e pashpresë dhe pa gjasa për ta siguruar pjesëmarrjen në një turne të madh për herë të parë në historinë e vet, pasi i ka vetëm katër pikë në vendin e tretë.
Por verdhekaltrit do të kërkojnë t’ia bëjnë Spanjës jetën sa më të vështirë, pasi ajo synon vendin e parë në Grupin B.
Spanja i ka 10 pikë në vendin e parë, një më shumë se Suedia në vendin e dytë, por i ka zhvilluar dy ndeshje më shumë se kjo e fundit. Prandaj, vendi i parë në grup nuk është i sigurt për furinë e kuqe.
Vendi i parë shkon direkt në Katar 2022, ndërsa vendi i dytë luan në play-off.