Federata e Futbollit të Kosovës pret që Federata e Futbollit të Serbisë të marrë dënim për flamurin provokues që ishte paraqitur në zhveshtore të përfaqësueses para ndeshjes me Brazilin.
Në zhveshtore shihej një hartë e Kosovës e sipër saj flamuri i Serbisë dhe shkruhej “S’ka dorëzim”.
FIFA ka hapur procedurë disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë.
“Veprime të tilla me shfaqjen e flamurit nacionalist në zhveshtore të Federatës së Futbollit të Serbisë me mesazh për Kosovën, me mesazhe agresive dhe të dhunshme, tregojnë qartë se Federata e Futbollit të Serbisë ka shkelur kodin disiplinor të FIFA-s. Ne menjëherë kemi bërë ankesë. Dhe kemi marrë konfirmimin nga FIFA se do të merren hetimet dhe do të ndërmerren masa adekuate kundër Federatës së Futbollit të Serbisë dhe lojtarëve të saj për t’u treguar gjithë të tjerëve që të mos promovojnë urrejtje në futboll. Kjo është në kundërshtim me parimet e FIFA-s”, ka thënë sekretari i FFK-së, Taulant Hodaj për agjencinë AP.