Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar më në fund për dy ndeshjet e shumëpërfolur të xhiros së 36-të, Ferizaj – Dukagjini dhe Trepça ’89 – Prishtina.
FFK e ka cilësuar si kampionat shumë interesant, derisa për dy ndeshjet në fjalë kanë thënë se kanë marrë gjitha informacionet për dhe do të reagojnë.
Gjithnjë sipas komunikatës së FFK-së, shtëpia më e madhe e futbollit kosovar organet përkatëse të FFK-së, në përputhje me rregulloret e brendshme dhe aktet normative të UEFA-së, kanë ndërmarrë masat e duhura dhe kanë filluar procesin e mbledhjes së deklaratave dhe dëshmive nga të gjithë zyrtarët e këtyre ndeshjeve për t’i adresuar dhe shqyrtuar ato me seriozitet maksimal
Komunikata e plotë nga FFK:
Në fundjavë u përmbyll edicioni i rregullt i garave 2022/23 në Albi Mall Superligë. Një edicion ky, që nga të gjithë njohësit e futbollit u vlerësua si njëri ndër kampionatet më të mira pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA.
Gjatë gjithë sezonit, situata ishte e paqartë sa i përket titullit të kampionit, si dhe pozitave që sigurojnë hyrjen në garat evropiane dhe ato që çojnë në një rang më të ulët të garave. Këta faktorë e bënë edicionin shumë interesant dhe ndikuan që cilësia e kampionatit, por edhe shikueshmëria të jetë në nivel të lartë.
Megjithatë, ndeshjet e xhiros së 36-të, në të cilat vendosej për rënie nga liga dhe për hyrje në barazh, bën shumë bujë dhe sollën polemika e komente të ndryshme. Duke pasur parasysh të gjitha këto rrethana, FFK-ja i ka marrë të gjitha informacionet relevante për dy ndeshjet më të përfolura të kësaj xhiroje, Ferizaj-Dukagjini dhe Trepça’89-Prishtina.
Pas përfundimit të këtyre ndeshjeve, organet përkatëse të FFK-së, në përputhje me rregulloret e brendshme dhe aktet normative të UEFA-së, kanë ndërmarrë masat e duhura dhe kanë filluar procesin e mbledhjes së deklaratave dhe dëshmive nga të gjithë zyrtarët e këtyre ndeshjeve për t’i adresuar dhe shqyrtuar ato me seriozitet maksimal.
Njëherësh, FFK reagon me ashpërsi ndaj çdolloj njollosje që i bëhet me deklarata të ngutshme dhe akuzuese, derisa është e vendosur për të ruajtur imazhin e saj dhe të futbollit të Kosovës, pas të gjitha investimeve që ka bërë për një garë sa më “fair-play”. FFK nuk do të lejojë që individë, grupe apo kushdo tjerë të prishin imazhin e saj dhe të futbollit të Kosovës.
FFK është e hapur për bashkëpunim me të gjitha organet dhe i inkurajon ato për hetim të detajuar për çdo pretendim të parregullt në kampionat. Tashmë, FFK-ja i ka informuar organet relevante të Republikës së Kosovës dhe u ka ofruar bashkëpunim në adresimin e mëtejmë të kësaj çështje.
Federata, në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar për Parandalimin e Dhunës në Sport, e nëpërmjet tij edhe me Prokurorinë e Shtetit, do të angazhohet maksimalisht për hetimin e të gjitha pretendimeve për kurdisje të ndeshjeve dhe prishje të “fair-play”. Çdo pretendim që vërtetohet do të ndëshkohet me ashpërsi në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret përkatëse.
FFK do të vazhdojë të angazhohet me përkushtim maksimal për të mbrojtur integritetin e garave dhe imazhin e futbollit të Kosovës në përgjithësi. Në këtë kontekst, Federata fton të gjithë protagonistët e futbollit, si zyrtarët, lojtarët, trajnerët, tifozët dhe mediat, që të angazhohen në promovimin e vlerave sportive dhe respektimin e rregullave të lojës.
Vetëm duke vepruar në përputhje me parimet e “fair-play”, futbolli ynë mund të vazhdojë të rritet dhe të jetë sporti më i popullarizuar në vend, prandaj duhet të punojmë të gjithë së bashku që dukuritë e këqija të mos zënë vend në futbollin tonë.