Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka filluar dëshmia e ish-kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati. Ai ka bërë deklaratën e tij të betimit dhe fillimisht do t’u përgjigjet pyetjeve të avokatit mbrojtjes për të vazhduar pastaj me pyetjet e Prokurorisë.
Dëshmia e Gucatit para trupit gjykues pritet të zgjasë dy ditë.
“Deklaroj solemnisht se do të them të vërtetën, krejt të vërtetën dhe vetëm të vërtetën dhe nuk do të mbaj të fshehur asgjë për të cilën kam dijeni. Betohem në plagët e mija të trupit që vetëm të vërtetën do ta them”, ka thënë Gucati.
Në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të luftës së UCK-së, ka filluar sot paraqitja e provave dhe dëshmitarëve nga ana mbrojtjes, përfshirë edhe vet Gucatin si dëshmitar.
Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 dhe prej atëherë po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës. / Gazeta Enigma.