Prizreni 16 ka fituar në derbin lokal ndaj Bashkimit me rezultat 90:92 (21:32, 21:17, 25:23, 23:20), në kuadër të javës së 13-të të Art Motion Superligës së Kosovës në basketboll.
Fillimi i ndeshjes ishte i barabartë deri tek rezultati 10:10, por më pas Prizreni 16 filloi shkëputjen, duke arritur epërsinë më të lartë 17:30, ndërsa çereku i parë përfundoi me shifrat 21:32. Vendasit kundërpërgjigjën në periudhën e dytë, duke zhvilluar lojë më të mirë, për të afruar shifrat në 39:43, ndërsa skuadrat shkuan në pushim me shifrat 42:49.
Në periodën e tretë, mysafirët dy herë ishin në epërsi deri në dhjetë pikë, por në fund të kësaj pjese, vendasit ngushtuan shifrat, ku rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 67:72. Ndeshje dramatike u zhvillua në dhjetë minutat e fundit, ku Bashkimi ngushton shifrat në 90:92 dhe kishte aksionin e fundit të ndeshjes, por Lewis nuk ishte i saktë për tri pikë dhe festoi Prizreni 16.
Te Bashkimi u dalluan Anton Kazarnovski me 22 pikë e 14 kërcime, Valon Bunjaku me 22 pikë, shtatë kërcime dhe gjashtë asistime dhe Julian Lewis me 22 pikë, tetë kërcime dhe tetë asistime, kurse te Prizreni 16 u dalluan Urim Zenelaj me 17 pikë e 12 kërcime dhe Ivan Koljeviq me 24 pikë, pesë asistime dhe shtatë kërcime.
Bashkimi ka shtatë fitore dhe gjashtë humbje, kurse Prizreni 16 ka tetë fitore dhe katër humbje.