Flasin ekspertët e sigurisë për sulmet të vazhdueshme mbi infrastrukturën në veri të Kosovës

Flasin ekspertët e sigurisë për sulmet të vazhdueshme mbi infrastrukturën në veri të Kosovës

Shtrirja e infrastrukturës kritike po vazhdon të pengohet në veri të Kosovës.

Disa persona ende të panjohur për institucionet e sigurisë, për disatën herë janë duke këputur një kabllo të fibrave optike që është pronë e Policisë së Kosovës.

Projekti i shtrirjes së infrastrukturës kritike nuk ka shumë kohë që ka përfunduar në rrugën Zubin Potok – Bërnjak.

E në fshatin Uglar të Zubin Potokut, është dëmtuar për herë të fundit fibri optik, që u shërben institucioneve të sigurisë.

Në vendin ku është kryer kjo vepër shihen edhe shenjat e riparimit të saj.

Ndërkohë, burime të RTV Dukagjinit brenda organeve të sigurisë kanë bërë me dije se për disa ditë, stacionet policore në zona kufitare nuk kanë mundur të komunikojnë në rrjetin e brendshëm me nivelin qendrorë, pikërisht për shkak të dëmtimit të kësaj fibre optike.

Këto veprime nga njohësit e sigurisë po shihen si të qëllimshme dhe me anë të saj dëshirojnë që komunikimi i institucioneve të sigurisë të Kosovës me këtë pjesë të mos jetë e mundur.

“Është veprim i qëllimshëm, nuk është hera e parë, duhet të ndërmerren masat të menjëhershme me qëllim që edhe te kapet personi që ka bërë këtë vepër dhe të ndërmerren masa parandaluese që të pengohet dëmtimi i infrastrukturës kritike në këtë pjesë, në këtë rast të kabllit optik që është shumë i rëndësishëm për banorët në këtë zonë por edhe për institucionet publike”, ka thënë, Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë.

Ndërsa sipas Bedri Elezit, që poashtu është njohës i çështjeve të sigurisë, me anë të këtyre veprimeve strukturat kriminale në veri, po duan që çojnë mesazhe në Prishtinë se ajo zonë kontrollohet nga ata.

“Qëllimi nuk është vetëm fizik, por ka të bëjë edhe më dërgimin e mesazheve tek institucionet tona që ata janë përgjegjës dhe kinse ata janë autoritar në zonën në fjalë, dhe po dëshirojnë që të dërgojnë sinjale që ata dëshirojnë ndarjen nga Kosova sa i përket kësaj fushe mirëpo edhe me gjerë. Madje, nuk përjashtohet mundësia që kriminelët kërkojnë që të marrin një operator serb në këtë zonë”, ka thënë Bedri Elezi, njohës i çështjeve të sigurisë.

Kjo kabllo optike në interval kohor shumë të shkurtër, është dëmtuar disa herë, madje edhe kostoja e riparimit të saj është goxha e madhe.

Madje, edhe zona ku po dëmtohet tash e disa herë kjo kabllo është në një shtrirje prej 20 metrash.

Related Articles