Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Naser Syla deklaroi sot se 17 persona kanë pranuar mbrëmë tretman mjekësor në Qendrën Emergjente si pasojë e plagosjes në lokalin “Bon Vivant”.
Syla për KP tha se një person, edhe pas intervenimit kirurgjik nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.
Syla u shpreh se dy raste janë trajtuar në sallën e operacionit nga ekipet kujdestare të Kirurgjisë, ku njëri ka humbur jetën.
Ai tregoi edhe për gjendjen e të lënduarve të tjerë, derisa tha se ata që kanë marrë trajtimin e nevojshëm, janë liruar për në shtëpi.
Ai tha se personi që ka ndërruar jetë ka pasur plagë në pjesë të ndryshme të trupit.
Ndërsa, anesteziologia inteziviste kujdestare në mjekimin intensiv, Agreta Gashi u shpreh se vetëm personi që ka ndërruar jetë ka qenë në gjendje të rëndë.
Ajo tha për KosovaPress se rastet e tjera janë trajtuar në klinika të tjera e jo në mjekim intensiv.