Flet futbollisti i FK Liepaja, Deliu: Gjilani ka ekip shumë të mirë, gjasat për kualifikim janë të barabarta

Flet futbollisti i FK Liepaja, Deliu: Gjilani ka ekip shumë të mirë, gjasat për kualifikim janë të barabarta

Kanë mbetur edhe një javë për t’u kthyer futbolli vendor në aksion, por kësaj here me ndeshjet në garat evropiane.

Sport Club “Gjilani” do të përballet me ekipin nga Letonia, FK Liepaja, raporton Gazeta Enigma.

Kjo ndeshje do luhet sot një javë më (7 korrik) në stadiumin “Fadil Vokrri të Prishtinës nga ora 20:00.

Për kundërshtarin e Gjilani paraqitet edhe një futbollist shqiptar i cili është transferuar këtë sezon. Bëhet fjalë për mesfushorin, Ardit Deliu, i cili para skuadrës letoneze është paraqitur me KF Laçin në Shqipëri.

Gazeta Enigma e ka kontaktuar futbollistin i cili ka folur për ndeshjen e së enjtes.

Sipas futbollistit durrsak, atmosfera në skuadër është pozitive dhe se njëherë përqendrimin e kanë në kampionat.

“Atmosfera është pozitive do thoja. Kampionati letonez vazhdon të luhet edhe gjatë verës dhe për momentin kemi qenë maksimalisht të fokusuar në kampionat. Të premten kemi një ndeshje shumë të fortë ndaj Rigës dhe shpresoj ta kalojmë me sukses dhe të fokusohemi për ndeshjen ndaj Gjilanit”, tha Ardit Deliu.

24-vjeçari ka folur edhe për pritshmëritë që ka në përballje ndaj Gjilanit.

“Pritshmëritë normalisht si për ne ashtu edhe për Gjilanin janë maksimale dhe kalimi në turin tjetër është padyshim synimi jonë”, shtoi më tutje Deliu për Enigmën.

Ish-lojtari i KF Laçit është pyetur se çfarë përparësie kanë ndaj SC Gjilani.

“Po mendoj që vazhdimësia e ndeshjeve që kemi ne sepse siç e thash jemi në mesin e kampionatit dhe lojtarët kanë minuta në këmbë, por gjithsesi unë mendoj që ndeshjet e Evropës janë shumë të vështira edhe në këtë rast Gjilani është skuadër që ka lojtarë me goxha eksperiencë dhe mendoj që shanset për të kaluar në turin tjetër do jenë të barabarta për të dyja ekipet”, përfundoi Ardit Deliu.

Kujtojmë që ndeshja mes SC Gjilani dhe FK Liepaja do të transmetohet direkt në SuperSport 4.

/GAZETA ENIGMA/     

Related Articles