Skuadra e Gjilanit ka mbetur pa kryetar.
Një nga investitorët më të mëdhenj të futbollit kosovar, Florim Zuka ka vendosur që të jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të klubit të SC Gjilanit.
Krejt kjo ka ndodhur disa javë pas përfundimit të kampionit në të cilin Gjilani nuk arriti të bëhet kampion dhe disa ditë pas eliminimit të Gjilanit nga kualifikimet e Conference League, e po ashtu pak javë para fillimit të sezonit të ri.
Për ndeshjet e Conference League dhe stinorin e ri, Gjilani e kishte angazhuar trajneri e njohur dhe të suksesshëm, Zekirija Ramadani i cili së fundmi kishte punuar si trajner në Shqipëri, ku kishte shkuar pas disa sukseseve që i kishte arritur në futbollin kosovar.
Dorëheqja e donatorit kryesor, bashkë me kryesinë e klubit ka krijuar mjegull edhe rreth trajnerit shqiptar nga Maqedonia e Veriut, i cili Gjilanin e ka udhëhequr vetëm në dy ndeshjet e Conference League.
Gazeta Express ka kontaktuar me Ramadanin për ta pyetur rreth pozicionit të tij në situatën e krijuar në Gjilan dhe rreth zhvillimeve të fundit të “Skifterët”, por Ramadani nuk ishte në gjendje të flasë diçka më konkretisht.
I pyetur nëse do të vazhdojë të jetë trajner i Gjilanit, Ramadani u përgjigj: “Para 10 minutave e mora lajmin, tash menjëherë me të tregu nëse do të vazhdoj apo jo nuk është korrekte ndaj klubit të Gjilanit dhe ndaj presidentit ose ish-presidentit. Tani për momentin nuk kam nevojë të jap ndonjë deklaratë. Nuk është as momenti as koha për të dhënë një deklaratë”, tha Ramadani.
Ramadani është prezantuar si trajner i Gjilanit më 7 qershor. Kuqebardhët kishin njoftuar se me Ramadanin kanë nënshkruar kontratë dy-vjeçare me mundësi vazhdimi.
Trajneri 44-vjeçar ka punuar për disa vite në futbollin e Kosovës, ku ka arritur suksese të mëdha, mbi të gjitha dallohet me tre tituj të kampionit të fituar në Kosovë me tri klube të ndryshme: Trepçën’89, Feronikelin dhe Prishtinën.