Foda, Kosovës: Udhëtimi ynë nuk ka mbaruar ende

Foda, Kosovës: Udhëtimi ynë nuk ka mbaruar ende

Përzgjedhësi së Kosovës, Franco Foda, ka vendosur të qëndrojë në krye të ekipit kombëtar, duke refuzuar një ofertë të majme nga klubi Al-Wahda në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Gjermani ka tërhequr vëmendjen me paraqitjet e fundit me Kosovën, që ka rritur interesimin e klubeve nga jashtë.  Foda mori drejtimin e Kosovës në vitin 2023, ka sjellë një frymë të re në ekip, me një mesatare mbresëlënëse prej 2.08 pikësh për ndeshje – më e larta për çdo trajner që ka drejtuar Kosovën në histori.

Nën drejtimin e tij, Dardanët kanë shënuar 15 gola në 7 ndeshje dhe kanë pësuar vetëm 5, duke ruajtur një formë solide në të dyja fazat e lojës.

Megjithatë edhe pse kishte oferta, Foda ka zgjedhur të vazhdojë me projektin e nisur me Dardanët.

“Udhëtimi ynë nuk ka mbaruar ende. Unë dhe stafi im duam të zhvillojmë diçka këtu”, është shprehur ai për të përditshmen austriake “Krone”.

Foda mbetet i përkushtuar ndaj projektit me Kosovën, ndërsa sfidat e ardhshme në kalendar pritet të jenë vendimtare për rrugëtimin e tij me përfaqësuesen.

Ky vendim përforcon stabilitetin në bankinën e Kosovës në prag të sfidave të rëndësishme të fazës kualifikuese për Botërorin 2026. Pavarësisht tundimit të madh financiar, Foda ka zgjedhur që të fokusohet në objektivat sportive me Dardanët.

Kosova nis aventurën e saj në kualifikimet për Kampionatin Botëror 2026 në muajin shtator. Dardanët do ta zhvillojnë ndeshjen e parë më 5 shtator në udhëtim ndaj Zvicrës, ndërsa tri ditë më pas, më 8 shtator, do të presin Suedinë në “Fadil Vokrri”. Përballjet e para do të jenë kyçe për ecurinë në Grupin B, ku pjesë është edhe Sllovenia.

Related Articles