Kombëtarja e Kosovës do të grumbullohet sot para përballjes së të enjtes ndaj Sllovakisë, e vlefshme për gjysmëfinale të “play-off”-it të Botërorit 2026, raporton Gazeta Enigma.
Dardanët do të ushtrojnë sot e nesër në atdhe, ndërsa të mërkurën pritet ta marrin rrugën drejt Bratislavës.
Selektori Franco Foda në konferencën për shtyp, tha se “lojtarët janë shumë të motivuar” dhe “po mbizotëron shpirti luftarak”.
“Sigurisht që i kam përjetuar ndeshjet me Kombëtaren e Austrisë. Kur kemi hyrë në grupe e kemi parë se ishin shumë të vështira. Ishte ëndërr të kalojmë fazën e grupeve. Qëllimi ishte të arrijmë të paktën në plejof. Tani jemi në plejof dhe mund të shkruajmë në histori. I kemi dy ndeshjet e radhës. Duhet ta kemi parasysh që Sllovakia e ka mposhtur Gjermaninë në shtëpi. Pra ka cilësi. I kemi dy ndeshje dhe Kosovën do ta përfaqësojmë denjësisht. Lojtarët janë shumë të motivuar. Po mbizotëron shpirti luftarak. Detajet do të vendosin. Të enjten vendoset gjithçka”, ka thënë selektori Franco Foda në konferencë për media.
“Për mua është e rëndësishme që ekipi të fitojë. Kjo skuadër është zhvilluar vazhdimisht tutje, prej se jam unë këtu. E kemi këtë eufori momentale. Dhe e rëndësishme është që prej minutës së parë të jemi të bashkuar. Duhet të bëjmë çdo gjë që ta fitojmë ndeshjen, për 90 minuta, 120 minuta apo në penallti”, ka thënë Franco Foda, selektor i Përfaqësueses së Kosovës.
