Foda paralajmëron ndryshime ndaj Andorrës: Do t’u japim mundësi lojtarëve të rinj

Foda paralajmëron ndryshime ndaj Andorrës: Do t’u japim mundësi lojtarëve të rinj

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, vlerësoi rëndësinë e ndeshjes miqësore për testimin e futbollistëve të rinj dhe kërkoi përqendrim maksimal ndaj Andorrës.

Foda ka folur në konferencën për shtyp para ndeshjes miqësore ndaj Andorrës, duke bërë të ditur se edhe në këtë takim do t’u jepet hapësirë lojtarëve të rinj për të treguar vlerat e tyre.

Ai theksoi se stafi teknik synon të vazhdojë me të njëjtën qasje që është ndjekur edhe në ndeshjen e parë testuese.

“Nesër kemi ndeshje miqësore, e dyta. Do t’u japim mundësi lojtarëve të rinj që të paraqiten, të prezantohen, këtë e kemi bërë edhe në ndeshjen e parë. Edhe nesër do ta bëjmë të njëjtën”, ka deklaruar fillimisht Foda në konferencën për shtyp.

Trajneri gjerman shtoi se kjo ndeshje do të jetë e rëndësishme edhe në funksion të përgatitjeve për Ligën e Kombeve, pasi i ndihmon stafit teknik të krijojë një pasqyrë më të qartë për futbollistët që kanë qenë pjesë e grumbullimit.

Foda vlerësoi kundërshtarin dhe paralajmëroi se Kosova nuk duhet ta nënvlerësojë Andorrën, duke kërkuar angazhim maksimal nga minuta e parë.

“Andorra është një skuadër shumë e mirë, sidomos nga ana taktike. Ndeshjen e fundit kundër Lihtenshtajnit e ka fituar 2-0. Kjo tregon që ka organizim mjaftë të mirë. Nuk do të jetë ndeshje e lehtë. Do të kërkoj nga lojtarët që nga minuta e parë të luajnë me intensitetin më të lartë, të përqendrohen dhe të shkojnë deri në kufijtë e tyre, të japin 100 për qind”, përfundoi 60-vjeçari Foda. 

Related Articles