Sulmuesi i Malishevës, Drilon Hazrollaj është njëri nga emrat e ri të ftuar nga përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Franco Foda.
Kosova ka zgjedhur në ditën e saj të pavarësisë, 17 shkurt, përzgjedhësin e ri, Franco Foda, i cili tashmë në muajin mars do ta drejtoj ekipin në ndeshjet e para.
Dardanët do të luajnë fillimisht më 22 mars kundër Armenisë në Yerevan, derisa më pas më 26 mars do të përballen me Hungarinë në Budapest.
Për këto dy ndeshje, Foda veçse ka një ide të qartë për lojtarët që do të ftojë dhe tashmë FFK ka filluar shpërndarjen e ftesave të ekipet e futbollistëve.
Në listën e trajnerit gjerman nuk do të mungojnë emrat e ‘senatorëve’ dhe yjeve të ekipit, por do të ketë edhe risi.
Mësohet se njëri nga emrat e rinj të ftuar nga gjermani Foda është edhe sulmuesi anësor, Drilon Hazrollaj, pasi ftesa për të veçse ka mbërritur te klubi i Malishevës.
Megjithatë, ende nuk dihet nëse 20-vjeçari do ta pranojë ftesën nga Përfaqësuesja e Kosovës pasi dihen problemet e tij në të kaluarën me trajnerin e Kosovës U-21, Afrim Tovërlani.
Ndryshe, Hazrollaj është lojtari i momentit në Superligën e Kosovës, pasi këtë sezon ka shkëlqyer duke shënuar 15 gola dhe 7 asistime në kampionat, teksa ka shtuar edhe tri gola dhe dy asistime tjera në Kupën e Kosovës.
Me paraqitjet e tij, Malisheva është njëri nga konkurrentët kryesor për të zënë një vend që i dërgon në garat evropiane, pasi janë ende në garë në dy fronte.
Përveç, yllit malishevas, Telegrafi mëson se lojtarët tjerë të ftuar nga Superliga e Kosovës për ndeshjet e marsit janë edhe Lumbardh Dellova i Ballkanit dhe dyshja e Llapit, Muhamet Hyseni dhe Lumbardh Dellova.