“Fshesa” e Haxhiut në misionet diplomatike shihet si “hakëmarrje” ndaj Osmanit

“Fshesa” e Haxhiut në misionet diplomatike shihet si “hakëmarrje” ndaj Osmanit


Pas ardhjes së Albulena Haxhiut në pozitën e ushtrueses së detyrës së Presidentes, janë ndërmarrë disa ndryshime në misionet diplomatike të Kosovës, shkruan Gazeta Enigma.

Presidenca ka nisur një valë ndryshimesh në misionet diplomatike jashtë vendit, duke hapur debat mbi kohën dhe arsyeshmërinë e këtyre vendimeve.

Njohësi i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, deklaron se këto lëvizje nga u.d. Haxhiu shpërfaqin një qasje provinciale në politikë, duke pasur parasysh se të shkarkuarit gëzonin raporte të mira me ish-presidenten Vjosa Osmani.

“Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, menjëherë pas marrjes së detyrës, pasi Vjosa Osmanit i përfundoi mandati, ka filluar me largime të zyrtarëve nga Presidenca, por edhe të konsujve në vende të ndryshme të botës. Këta, në një formë ose tjetër, kishin raporte të mira me ish-presidenten Osmani. Kjo tregon një qasje provinciale në politikë, e cila funksionon përmes goditjeve dhe hakmarrjes”, u shpreh Muhaxheri.

Tutje, Muhaxheri theksoi se këto emërtime nuk kanë të bëjnë me ngritjen e cilësisë së punës.

“Pra, këto veprime nuk kanë të bëjnë aspak me ngritjen e nivelit apo cilësisë së punës, por vetëm me faktin se Vetëvendosje nuk ia fal Vjosa Osmanit që u ka dalë kundër”, përfundoi ai.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se në shërbimet diplomatike të Kosovës janë bërë tetë emërime të reja, tri lirime nga detyra dhe riorganizime të misioneve konsullore.

“Unë kam trashëguar një numër të madh lëndësh nga Presidentja Osmani dhe aty ku gjithçka është në rregull në raport me procedurat, natyrisht që do t’i shtyj përpara dhe në këtë drejtim janë bërë 8 emërime, 3 lirime dhe 2 riorganizime të misioneve konsullore”, u shpreh Haxhiu.

Ndërkohë, njohësi i Kushtetutës, Kadri Kryeziu, theksoi se Haxhiu nuk i ka të kufizuara vendimet, por duhet të jenë të paanshme.

“Ka 30 kompetenca, nuk i ka të kufizuara sikur kryeministri në detyrë. Ka të drejtë legjitime për vendime sikur të jetë president i zgjedhur. Nuk duhet të jetë e anshme, por duhet të vendosë në bazë të interesave të Kushtetutës dhe institucioneve shtetërore të Kosovës”, u shpreh Kryeziu.

Këto ndryshime janë bërë nga Presidenca:

Lirije Berisha është emëruar ambasadore e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Tajlandës, njëherësh shefe e misionit.

Sipas Presidencës, ky mision nuk ka pasur ambasador që nga data 24.06.2020, ndërsa rekomandimi i MPJD-së për emërimin e Berishës është bërë më 05.06.2024. Heroina Telaku është liruar nga detyra pas përfundimit të mandatit si ambasadore e Republikës së Kosovës në Panama dhe është emëruar ambasadore e Republikës së Kosovës në Republikën e Kolumbisë.

Suzan Novobrdaliu ka përfunduar mandatin dhe është kthyer në MPJD, ndërsa në vend të saj është emëruar Kenan Tora, pas përmbushjes së kritereve të kërkuara, thotë Presidenca. Presidenca ka shpjeguar se Vehbi Miftari është liruar nga detyra “pas konstatimit të shkeljeve të etikës profesionale dhe të cenimit të integritetit e reputacionit të shërbimit diplomatik”.

Në vend të Miftarit, Presidenca ka njoftuar se është emëruar Ruvelt Frrokaj. Në anën tjetër, Enis Xhemajli është emëruar ambasador i Republikës së Kosovës në Panama pas përfundimit të mandatit të Telakut.

Dy riorganizimet në përfaqësimin konsullor lidhen me funksionalizimin e Konsullatës së Përgjithshme në Dyseldorf dhe Konsullatës së Përgjithshme në Gjenevë, pas procedurave përkatëse dhe rikonfirmimeve nga MPJD.

Behar Isma është emëruar konsull i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë, me seli në Dyseldorf.

Sipas arsyetimit të Presidencës, propozimi është pranuar në Presidencë më 12.08.2024 dhe, pas përmbushjes së procedurave të përcaktuara me aktet përkatëse nënligjore, është rikonfirmuar nga MPJD. Një riorganizim tjetër është bërë në Gjenevë.

Floreta Kabashi është emëruar konsulle e përgjithshme e Republikës së Kosovës në Konfederatën e Zvicrës, me seli në Gjenevë.

Sipas Presidencës, edhe ky propozim është pranuar në Presidencë më 12.08.2024 dhe, pas përmbushjes së procedurave të përcaktuara me aktet përkatëse nënligjore, është rikonfirmuar nga MPJD.

“Pra, bëhet fjalë për vendime të bazuara në procedurë, në përfundim mandatesh, në propozime të MPJD-së dhe në nevojën që përfaqësimi diplomatik e konsullor i Republikës së Kosovës të jetë funksional dhe profesional”, tha Presidenca. /GazetaEnigma/

Related Articles