FSK-së i bashkohen 12 oficerë të rinj pas përfundimit të Akademisë Ushtarake

FSK-së i bashkohen 12 oficerë të rinj pas përfundimit të Akademisë Ushtarake

Forca e Sigurisë së Kosovës është pasuruar me 12 oficerë të rinj, të cilët kanë përfunduar me sukses programin katërvjeçar të përgatitjes akademike, ushtarake dhe të lidershipit.

Ceremonia e diplomimit u mbajt në kazermën “Adem Jashari”, ku u theksua rëndësia e brezit të ri të oficerëve në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili e cilësoi diplomimin si një moment krenarie për vendin.

“Sot është një ditë krenarie për shtetin, sepse në kazermën që mban emrin e kryekomandantit të UÇK-së, Adem Jashari, diplomuan disa nga udhëheqësit e ardhshëm të ushtrisë sonë”, u shpreh Kurti.

Oficerët e rinj kanë përfunduar trajnimin profesional dhe akademik, duke u përgatitur për të marrë përgjegjësi drejtuese brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe për të kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të institucionit të mbrojtjes.

Related Articles