Fundoset një anije peshkimi, 7 të vdekur dhe 14 të zhdukur

Fundoset një anije peshkimi, 7 të vdekur dhe 14 të zhdukur

Trupat e shtatë personave u nxorën nga uji i akullt në brigjet e Atlantikut të Kanadasë pas fundosjes së një anije peshkimi spanjolle, konfirmoi një zyrtar ushtarak për DPA të martën.

Katërmbëdhjetë persona janë të listuar si të zhdukur, tha Brian Owens nga Qendra e Përbashkët e Koordinimit të Shpëtimit në Halifax. Tre anëtarë të ekuipazhit u shpëtuan, shtoi Owens, duke shprehur shpresën se të tjerët mund të gjendeshin ende gjallë.

Megjithatë, ai i quajti kushtet e motit në ishullin e Newfoundland “sfiduese”, me shikueshmëri të dobët dhe valë që arrijnë deri në katër metra lartësi. Operacioni i kërkim-shpëtimit përfshin një avion, një helikopter dhe një anije të Rojës Bregdetare.

Më herët të martën, zëdhënësja e qeverisë spanjolle Isabel Rodríguez u tha gazetarëve në Madrid se kishte frikë se shumë ishin të vdekur. Anija u mbyt të hënën në mbrëmje në brigjet e Newfoundland. Sipas autoriteteve kanadeze, 24 persona ndodheshin në bordin e Villa de Pitanxo, një anije nga Galicia në veriperëndim të Spanjës, në momentin e aksidentit. Nuk dihet shkaku i fundosjes./Gazeta Enigma/

Related Articles