Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku janë të përfshirë bashkëshortët, baballarët me fëmijë e anëtarët e tjerë të familjes. Shumë herë janë prindërit ata të cilët detyrohen t’i denoncojnë fëmijët në Polici si pasojë e mosmarrëveshjeve mes tyre.
Një rast i tillë ka ndodhur sot paradite në fshatin Miradi e Ulët në Fushë Kosovës, ku babë e bir janë kapur për mbeturina, konflikt ky që eskaloi në kanosje dhe përfundoi si rast në Polici.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bërlloku u bë mollë sherri mes të dyshuarit A.K., dhe babait të tij, me të cilin kanë pasur fillimisht një zënkë verbale e më pas situata u tensionua në britma e kërcënime.
Sinjali mëson se rasti është raportuar menjëherë në Polici, me ç’rast palët janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre në lidhje me atë që ka ndodhur.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin për veprat penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” dhe “Kanosje”.