Individë dhe grupe të interesit, të cilat luftojnë për të marrë drejtimin e FFK-së, ka kohë që nuk kanë kursyer madje as ekipin kombëtar për të njollosur punën e drejtuesve të federatës. Megjithatë, zërave të fundit për mungesë të kushteve në Kombëtare dhe atmosferë jo të mirë iu kanë kundërpërgjigjur vetë futbollistët dardanë.
Kapiteni i Kombëtares, Amir Rrahmani në një prononcim për Futbolli.info ka thënë se në aspektin organizativ FFK ka pasur ngritje të madhe në vitet e fundit.
“Në aspektin organizativ është normale që kemi pasur goxha ngritje viteve të fundit dhe përkrahja nga Federata ka qenë për t’u çmuar në çdo aspekt të pjesës organizative, sepse na janë ofruar kushtet më optimale të mundshme. Për ne si futbollist, trajtimi që e marrim në ekip nga stafi dhe Federata është krucial që të mund të kemi paraqitje sa më të mirë të mundshme”, ka theksuar Rrahmani, i cili me ekipin e tij Napoli po kalon në formë të shkëlqyeshme.
“Ka më shumë se 4 vite që udhëtojmë gjithnjë me aeroplan vetëm për ekipin, siç është normale në botën moderne të futbollit, e po ashtu akomodimi dhe gjithçka rreth nevojave të ekipit bëhet në formën më të mirë të mundshme, prandaj lirisht mund të them se të gjithë futbollistët janë të lumtur dhe falënderues ndaj FFK-së në këtë aspekt”, ka shtuar kapiteni i Dardanëve.
Ai po ashtu ka thënë se nuk kanë munguar as stimulimet e formave të tjera që të gjithë ta japin maksimumin për ekipin kombëtar.
Rrahmani ka folur edhe për atmosferën në kombëtare, që pavarësisht thashethemeve, ka thënë se ajo ka qenë dhe mbetet e shkëlqyeshme.
“Nëse flasim për atmosferë ajo ka disa vite që ka qenë dhe mbetet arma jonë më e fortë. Ne jemi një grup shumë i lidhur ndërmjet vete dhe secili prej lojtarëve ndjen kënaqësi e privilegj të madh për ta përfaqësuar Kosovën dhe të gjithë së bashku me shumë entuziazëm po presim të nisim kualifikimet për Evropianin e vitit 2024”, është shprehur tutje Rrahmani.
Të njëjtën gjë e ka pohuar edhe njëri nga futbollistët me formën më të mirë dardan, Vedat Muriqi. Ai ka thënë se organizimi për ekipin kombëtar është dukshëm në nivel të lartë.
“Për kaq kohë të shkurtër të arrijmë në këtë nivel të organizimit realisht nuk e ka pritur asnjë futbollistë. FFK-ja gjithmon mendon dhe vepron në favor të futbollistëve. E sa i përket kushteve ato gjithmonë janë të nivelit më të lartë. Ne qëndrojmë në hotelet më të mira në shtetet që udhëtojmë për ndeshje, pastaj udhëtimi me aeroplan privat vetëm për shtabin teknik dhe futbollistët, gjë që bën të ndjejmë më pak lodhje para lojës. Pra i kemi të gjitha kushtet para dhe pas lojës, prandaj edhe dua që në emër të gjithë futbollistëve të falënderoj FFK-në për punën dhe mundin që e bënë për neve”, ka thënë Muriqi.
Shpresojmë që në të ardhmen ekipi kombëtar të mos thumbohet nga individë e media, pasi është një aset shtetëror që na bën krenar me paraqitjet në fushën e gjelbër. Futbollistët tanë duhet të jenë të qetë para ciklit kualifikues dhe të mos ngarkohen me tema të tilla dhe thashetheme që kanë qëllime të caktuara. Le të mbizotërojë uniteti dhe moto “Bashkë në Evropian”.