Sot pritet të votohet në Kuvend për një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese e ku në garë janë Vigan Qorrolli, Hilmi Jashari e Haxhi Xhemajli.
Nga kjo garë është tërhequr Visar Morina nëpërmjet një shkrese të dërguar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
E Qorrolli, që është profesor shumëvjeçar në Universitetin e Prishtinës, ka marrë më së shumti pikë nga të gjithë 11 kandidatët që iu nënshtruan testimit dhe intervistës së Komisionit.
Qorrolli mori pikë maksimale nga shumica e anëtarëve të Komisionit të Posaçëm. Atë me pikë maksimale e votuan përfaqësuesit e Vetëvendosjes, AAK-së dhe minoritetet.
8 pikë ka marrë nga Driton Selmanaj i LDK e me 7 pikë është notuar nga Abelard Tahiri i PDK-së.
Ndërkaq i dyti në listë është Visar Morina, profesor në UP e ish-avokati i Popullit, Hilmi Jashari është renditur i treti në listë.
Haxhi Xhemajli është personi i 4 më i votuar në listë, emri i të cilit u propozua për t’u votuar në seancë plenare nga deputetët e Kuvendit.
Sipas ligjit, Komisioni posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese, bashkangjitur me listën e ngushtë të të përzgjedhurve, tani duhet t’ia dërgojë Kuvendit listën e të gjithë kandidatëve të cilët i plotësuan kushtet për t’u zgjedhur gjykatës.
Në fund, në organin më të lartë ligjvënës, me shumicë votash vendoset se cili nga ta do të përzgjidhet për ta marrë këtë detyrë. /Reporteri/