Incidenti në Shkup, Gashi: Osmanit i dridhej zëri në telefon, fëmijët i qanin

Incidenti në Shkup, Gashi: Osmanit i dridhej zëri në telefon, fëmijët i qanin

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të debatojë për interpelancën ndaj kryeparlamentarit Afrim Gashi më 3 shtator lidhur me incidentin në Aeroportin e Shkupit më 1 gusht, ku të përfshirë ishin sigurimi që shoqëronte delegacionin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe sigurimi i Gashit.

Gashi ka thënë se sigurimi i tij ka shkuar në aeroport me urdhër të tij, siç thotë ai, për të shmangur incident me pasoja më të mëdha. Ai shtoi se e ka pasur në plan që të niset edhe ai personalisht në aeroport por është vonuar për shkak të angazhimeve në Kuvend. Ndërkohë sigurimi e ka telefonuar që problemi është zgjidhur. Kreu i Kuvendit ka theksuar se sigurimi i tij nuk ka pasur urdhër të bëjë asgjë joligjore.

“Unë personalisht dhe sigurimi i Kuvendit, në aeroport kemi shmangur një incident i cili mund të kishte më shumë pasoja. Unë jam i kënaqur që gjithçka përfundoi si duhej. Ata persona që i kanë tejkaluar autorizimet e tyre, do të veprojë Ministria e Brendshme ashtu siç e parashikon ligji. Të ju them se gjithmonë kur të duhet të qetësohet situata unë do të veproj dhe gjithmonë do të jem këtu për të mirën e qytetarëve, të mos ketë konflikte, incidente dhe pasoja më të rënda”, deklaroi Gashi.

Ai tha se në atë rast ka ndihmuar sepse Osmani e kishte telefonuar nga vendi i ngjarjes dhe i ka kërkuar ndihmë, raporton Alsat.mk, përcjellë Gazeta Enigma.

“Më thirri presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i dridhej zëri, kërkonte ndihmë. Ajo më tha se kishte probleme në aeroportin e Shkupit dhe se ishte ndarë nga fëmijët që ishin gjithashtu në aeroport. Më tha se fëmijët ishin shumë të frikësuar dhe po qanin. Më duhej të ndihmoja. Nuk e di se cili person nuk do të ndihmonte nëse dikush lutet për ndihmë”, deklaroi Gashi.

Një nëpunës i sigurimit të Kuvendit është suspenduar dhe dy të tjerë janë nën hetim, sipas MPB-së, për këtë incident. Sipas sqarimit të MPB-së, deri te incidenti kishte ardhur pasi sigurimi i presidentes Osmani kishte refuzuar që ajo tu nënshtrohet kontrolleve në aeroport. Sigurimi i Gashit është paraqitur dhe ka karikuar armën në formë kërcënimi ndaj nëpunësve të aeroportit..

Related Articles