Tomë Gashi- avokati i familjes Dehari, ka akuzuar Prokurorinë Speciale se është duke heshtur dhe nuk po kthen përgjigje lidhur me zhdukjen e mostrave të Deharit në Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Gashi i është drejtuar me letër prokurorit të rastit, Afrim Shefkiu, pas raportimit se janë gjetur mostrat e Deharit në IML.
“Rasti i mostrave të Astrit Deharit. Kërkesa e radhës dërguar Prokurorit të Prokurorisë Speciale z. Afrim Shefkiu. Edhe pse kanë kaluar 1 vit e 4 muaj nga publikimi i zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit. Edhe pse Prokurori ka pranuar shumë kërkesa për ta njoftuar familjen e Astritit për këtë çështje. Edhe pse Prokurori e ka obligim ta bëjë këtë. Prokurori vetëm hesht, asnjëherë nuk përgjigjet..!”, tha Gashi.
Ai theksoi se Prokuroria po e përdor heshtjen per të arsyetuar neglizhencën totale të zbulimit të vrasësve të Astrit Deharit.
“Plagët e Astritit janë dëshmi e vrasjes së tij që nuk mund t’i fsheh askush siç nuk ka mundur t’i fshehë edhe një ish-kryeprokuror i cili deshti rastin e vrasjes së Astritit ta mbyll për 13 ditë në kundërshtim me provat që e vërtetojnë se Astrit ështe vrarë”, shkroi Gashi.
Kujtojmë se para disa ditësh në media ishte raportuar rreth gjetjes së mostrave të Astrit Deharit, që u zhdukën nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.