Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar pasi gazetarja e Klan Kosovës, Gresa Nitaj, ajo e Top Channel, Leonita Bajrami dhe gazetari i Tëvë1, Venhar Isufi, janë penguar gjatë raportimit për vrasjen e ndodhur mbrëmë në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë.
AGK-ja tha se pengimi i punës së gazetarëve është i papranueshëm, teksa i bëri thirrje Policisë së Kosovës që në situata të tilla të krijojë kushte për gazetarët që ta kryejnë punën e tyre pa u cenuar dhe pa u penguar.
“Në një lidhje të drejtpërdrejt të gazetares Gresa Nitaj në një edicion informativ në Klan Kosova, shihet një burrë duke e kapur për krahu gazetaren, e duke mos e lënë të raportojë atë, si dhe duke i kërkuar të largohen edhe ekipet e Top Channel dhe Tëvë1”.
“Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, pengimi i punës së gazetarëve është i papranueshëm, andaj i bëjmë thirrje Policisë së Kosovës, që në situata të tilla të krijojë kushte të favorshme për gazetarët që të kryejnë punën e tyre, pa u cenuar, e penguar”, thuhet në reagimin e AGK-së.