Gërvalla dhe homologet e saj reagojnë për ndalimin e arsimimit të vajzave në Afganistan

Gërvalla dhe homologet e saj reagojnë për ndalimin e arsimimit të vajzave në Afganistan

Një grup ministresh të Jashtme nga 16 vende të botës, përfshirë edhe kryediplomaten kosovare Donika Gërvalla, janë shprehur të zhgënjyera me vendimin e pushtetit të talebanëve, të cilët ndaluan shkollimin e vajzave mbi klasën e gjashtë.

Në një deklaratë të përbashkët, diplomatet kërkuan që arsimi i i vajzave afgane të mos ndërpritet.

“Si gra dhe si ministre të Jashtme, ne jemi thellësisht të zhgënjyera dhe të shqetësuara që vajzave në Afganistan po u mohohet hyrja në shkollat ​​e mesme këtë pranverë”, thanë ministret e jashtme të Kosovës, Shqipërisë, Andorrës, Australisë, Belgjikës, Bosnjës, Kanadasë, Estonisë, Gjermanisë, Islandës, Malavisë, Mongolisë, Zelandës së Re, Suedisë, Tongas dhe Britanisë, shkruan DW.

Ato thanë se vendimin e bën edhe më shqetësues fakti se në vazhdimësi kanë dëgjuar për zotimet e talebanëve për të hapur shkollat për të gjithë fëmijët.

“Ne u bëjmë thirrje talebanëve që të anulojnë vendimin e tyre të fundit dhe t’iu japin qasje të barabartë në të gjitha nivelet e arsimit, në të gjitha provincat e vendit”, shtuan ato.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së gjithashtu mbajti një diskutim me dyer të mbyllura për këtë çështje.

Talebanët kishin premtuar një rregull më të butë kur u kthyen në pushtet vitin e kaluar, duke pretenduar se respektojnë të drejtat e grave. Ata gjithashtu thanë se vajzat do të lejohen të studiojnë deri në universitet.

Për këtë çështje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar se kanë anuluar bisedimet e planifikuara me talebanët pasi sundimtarët e Afganistanit bënë regres në temën e arsimimit të vajzave.

Ministria e Afganistanit bëri një njoftim për vendimin që mori.

“Ne informojmë të gjitha shkollat ​​e mesme të vajzave dhe ato shkolla që kanë nxënëse femra mbi klasën e gjashtë se ato do të pushojnë së shkuari në shkollë deri në një njoftim tjetër”.

Njoftimi u prit me zhgënjim nga vajzat që u larguan nga shkollat ​​dhe u dënua nga fuqitë ndërkombëtare, të cilat kanë lobuar për të drejtat e grave nën regjimin taleban.

Related Articles