Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, i ka kërkuar presidentit të Francës, Emmanuel Macron, që ta vizitojë Kosovën dhe të shohë për së afërmi se situata me serbët në veri nuk është siç paraqitet nga Rusia e Serbia.
Gërvalla tha se e tërë kjo është “pjesë e fushatës së fuqishme propaganduese të Rusisë dhe Serbisë kundër aleatëve të Perëndimit”.
“Në lidhje me brengat e presidentit Macron për pakicën serbe në Kosovë, mund ta ftoj atë dhe gjithë të tjerët që mund të kenë brenga të caktuara, ta vizitojnë Kosovën dhe ne do të krijojmë mundësinë që ata të shohin me sytë e tyre dhe (ta shohin) se kjo është pjesë e propagandës së fuqishme nga Rusia dhe Serbia kundër aleatëve të Perëndimit dhe atyre që janë pro Ukrainës në këtë luftë”, tha e para e MPJD-së, në një intervistë për median turke në gjuhën angleze, “TRT Ëorld”.
Shefja e diplomacisë kosovare kritikoi Serbinë edhe në aspektin e raporteve të saj të ngushta me Rusinë, duke thënë se presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, nuk po sillet si burrështetas evropian.
“Vuçiqi është aleati më i afërt i Vlladimir Putinit në Evropë, dhe dikush që ende e vazhdon bashkëpunimin me Moskën dhe Putinin personalisht. Këto ditë zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Alleksandar Vullin, i cili është nën sanksione të ShBA-së dhe Britanisë, e ka vizituar Moskën. Para pak ditësh ka vendosur lule te varri i Stalinit, dhe nesër do të takohet sërish me Putinin. Pra, kemi një vend shumë pro-Rusi. Prandaj, është mirë gjithmonë të tentohet të kthehet Serbia te vendet evropiane e demokratike, ku Serbia nuk është”, deklaroi Gërvalla.