Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë nevojë për një rishikim të të gjithë procesit të dialogut dhe se sipas saj, duhet të ketë persona të rinj që vijnë në Bruksel dhe marrin detyrat.
“Të kenë strategji të qartë se ku do të çojë procesi i negociatave mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Gërvalla.
“Kemi një marrëveshje në shkurtin e vitit të kaluar dhe marrëveshjen e arritur në Ohër dhe presim që të gjitha palët t’i përmbahen zotimeve të tyre, por sic e kemi parë deri më tani, Serbia është shumë larg, jo vetëm implementimit të marrëveshjes por nuk ka ditë që në mediat serbe nuk del një zyrtar serb dhe publikisht e hedh poshtë gjithë atë që është menduar se është arritur në Bruksel”, u shpreh tutje e para e MPJD-së.
Ajo po ashtu tha se nuk ka informacion për ndonjë hap të ri të Serbisë në lidhje me tërheqjen nga letra e ish-kryeministres Ana Bërnabiq, që ia pati dërguar BE-së.
Gërvalla tha se beson që emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, fjalën e ka për një tërheqje të pjesshme të letrës së Bërnabiqit.
“Nuk kam ndonjë informacion për ndonjë hap të ri të Serbisë në lidhje me çfarëdo lloj dokumenti. Besoj që Lajçak, fjalën e ka për një tërheqje të pjesshme të letrës së ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiq, e cila megjithatë nuk tërhiqet nga mosnjohja e sovranitetit dhe integritetit territorial e Kosovës, që për ne është qasje e papranueshme”, deklaroi Gërvalla.
“Përshtypja që të krijohet në këtë proces të ashtuquajtur të normalizimit të BE-së në raport me Kosovën dhe Serbinë është që sa më shumë që normalizohet pozita e serbëve të Kosovës, sa më tepër që ata janë të çliruar nga ndikimi i bandave kriminale në veri, tentojnë t’i kthehen jetës normale dhe të bëhen pjesë e shoqërisë, aq më shumë largohet Serbia nga ai normalizimi i ashtuquajtur dhe i synuar në Bruksel”, shtoi ministrja.