Ndonëse miliona euro janë dhënë deri më tani për ndërmarrjen publike “Trepça”, kjo e fundit pothuajse çdo muaj ballafaqohet me probleme financiare.
Sipas ekonomistëve kjo ndërrmarrje ka nevoj për disa hapa konkret drejt rivitalizimit të saj.
E ndërkaq nga Ministria e Ekonomisë, nuk kanë treguar shumën totale që është ndarë tash e tri vite.
Në fund të tetorit të vitit 2023, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të ndahet një shumë prej 1 milion e 600 mijë euro për ndërmarrjen “Trepça”.
E vetëm dy muaj para këtij vendimi, “Trepça” Sh.A përfitoi edhe 1.13 milion euro nga Ministria e Ekonomisë.
Këto mjete, janë ndarë në momente kritike për ndërmarrjen, kur nuk kishte mundësi financiare as për pagesën e punëtorëve.
Por cila është shifra totale e ndarë gjatë këtyre tri viteve të fundit, nga Ministria e Ekonomisë, nuk është dhënë një përgjigjje.
Kundrejt këtij fakti, Safet Gërxhaliu, ish kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës është treguar kritik në një intervistë për TV Dukagjinin.
“Nuk mund të rimëkëmbet Trepça më infuzione financiare, duhet profesionalizëm, duhet planifikim dhe menaxhim. Të gjitha milionat që po investohen po bëhen për të shëruar por jo për ta këndellur Trepçën. Duhet të ketë teknologji, fuqi të re që do të kthej reputacionin e Trepçës. Nuk jetohet duke pasur investime milionëshe, derisa kapaciteti i saj të jetë 50%”, – është shprehur Gërxhaliu.
Se këto investime nuk ndihmojnë në rivitalizimin e kësaj ndërmarrje që dikur kishte nam në Kosovë, e thotë edhe ekonomisti, Adhurim Haxhimusa.
“Milionat që jepen dhe janë dhënë, janë vetëm sa më ruajt status-quon e saj, ringjallja e saj, kërkon një strategji më të detajuar jo kështu,” – tha ekonomisti Adhurim Haxhimusa.
Në shkurt të 2023-ës, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi se ekzekutivi qendror mori vendim për një kredi për “Trepçën” në shumë prej 20 milionë eurosh, me të cilat parashihej të bëhej rivitalizimi i ndërmarrjes.
Mirpo, edhe pas një viti kjo ende nuk është realizuar./Gazeta Enigma