Dy persona u vranë derisa po përpiqeshin të sulmonin një gjykatë në Stamboll të martën, tha ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya.
Burri dhe gruaja u vranë gjatë një “përpjekjeje për të sulmuar” një pikë kontrolli të sigurisë në gjykatën e Caglayan në orën 11:46, shkroi Yerlikaya në mediat sociale.
Gjashtë persona të tjerë mbetën të plagosur, në mesin e tyre tre policë.
“I uroj shërim të shpejtë të plagosurve tanë”, tha ministri duke përgëzuar policët të cilët i quajti heronj.
Caglayan, i cili njihet si Pallati i Drejtësisë në Stamboll, është një kompleks i madh gjykatash në rrethin Kagithane, në anën evropiane të qytetit.
Yerlikaya më vonë i identifikoi sulmuesit si anëtarë të Frontit Revolucionar për Çlirim, ose DHKP/C – grupi i cili nga Turqia dhe Shtetet e Bashkuara konsiderohet organizatë terroriste.
Sulmi ndodhi në ditën kur Turqia po përkujtonte përvjetorin e një tërmeti që vrau mijëra njerëz në jug të vendit.
DHKP/C ka qenë kryesisht joaktive në vjetët e fundit.
Në mars të vitit 2015, grupi mori peng një prokuror duke kërkuar detaje për vrasjen e një adoleshenti nga policia, gjatë protestave antiqeveritare një vit më parë.
Dy persona të armatosur vdiqën pasi policia hyri në ndërtesë, dhe prokurori vdiq më vonë si pasojë e plagëve, raporton REL.
Grupi gjithashtu mori përgjegjësinë për një sulm vetëvrasës me bombë në shkurt të vitit 2013, në Ambasadën e SHBA-së në Ankara, ku një roje e sigurisë u vra dhe katër persona të tjerë u plagosën.
Muajin e kaluar, një burrë u qëllua dhe u vra në një kishë të Stambollit në një sulm që u mor përsipër nga grupi militant, Shteti Islamik (IS).
Dy burra u arrestuan më vonë si të dyshuar për vrasjen e Tuncer Cihan, 52 vjeç, më 28 janar në kishën Santa Maria në lagjen Buyukdere.
Dhjetëra anëtarë dhe mbështetës të dyshuar të IS-it, gjithashtu, u arrestuan.