Gjendet 17-vjeçarja që ishte zhdukur para një muaji, arrestohet 24-vjeçari në Durrës

Gjendet 17-vjeçarja që ishte zhdukur para një muaji, arrestohet 24-vjeçari në Durrës

Policia e Durrësit ka gjetur 17-vjeçaren që ishte larguar nga banesa një muaj më parë, si dhe ka vënë në pranga 24-vjeçarin që kishte strehuar të miturën.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se, gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet dhe sekuestrua rreth 400 gramë lëndë narkotike cannabis sativa, që ky shtetas e shiste me doza në zonën e plazhit në Durrës.

“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Durrës, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit Operacional të Policisë Kriminale, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së narkotikëve, si dhe të kërkimeve për gjetjen e një 17-vjeçareje që ishte larguar nga banesa një muaj më parë, kanë bërë të mundur lokalizimin e vendndodhjes së saj”.

“Gjatë kontrollit të ushtruar në zonën e plazhit, në një banesë të marrë me qira nga shtetasi Sh. F., 24 vjeç, banues në Durrës, shërbimet e Policisë kanë gjetur të strehuar 17-vjeçaren që ishte larguar nga banesa”, njofton policia.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka kryer marrëdhënie seksuale me 17-vjeçaren.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i 24-vjecarit Sh. F. dhe materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. /TCH/

Related Articles