Jep dorëheqje Rrahman Rama, komandanti i ri i FSK-së vjen nga familja Jashari

Jep dorëheqje Rrahman Rama, komandanti i ri i FSK-së vjen nga familja Jashari

Gjenerallejntënant, Rrahman Rama, ka dhënë dorëheqje nga posti i komandantit të Forcës së Sigurisë të Kosovës.

Burime të Gazetës ‘Enigma’ kanë mësuar se mëngjesin e të martës gjenerallejtënant Rama e ka nënshkruar letrën e dorëheqjes.

Po të njëjtat burime kanë konfirmuar për Enigmën se gjeneralmajor Bashkim Jashari do të jetë pasues i tij në krye të ushtrisë së Kosovës.

“Rrahman Rama tani është në zyrën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me kryeministrinë Albin Kurti dhe komandantin e ri të FSK-së, Bashkim Jashari”, thotë një burim brenda Ministrisë së Mbrojtjes.

Si erdhi deri tek dorëheqja?

Mospajtimet midis komandantit të FSK-së dhe ministrit të Mbrojtjes kanë arritur pikën kritike më 18 shtator, dy netë para aksionit të Policisë së Kosovës për të vendosur reciprocitetin për targat me Serbinë.

Mbrëmjen e 18 shtatorit, ministri Mehaj e ka urdhëruar komandën e Forcës së Sigurisë të Kosovës që FSK-ja t’i lyejë katër mjete të blinduara ushtarake M1117 ASV, pronë e FSK-së, me ngjyrë të kaltër, me arsyetimin se do të përdoreshin në mbështetje të aksionit të policisë në veri të vendit.

Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Rrahman Rama e ka refuzuar kategorikisht një kërkesë të tillë, pasi marrëveshja me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kërkon qartësisht që FSK të jetë përdoruesja e fundit e çfarëdo pajisje ushtarake që ka marrë si ndihmë nga Departamenti i Mbrojtjes.

Edhe kërkesa që ministri Mehaj i dërgon Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, për t’ia lejuar përdorimin e atyre mjeteve të blinduara në operacionin policor merr përgjigje negative.

Pas këtij refuzimi, ministri Mehaj kërkon përdorimin e gjashtë mjeteve të blinduara Otocar Cobra, që Forcës së Sigurisë të Kosovës i janë dhënë si ndihmë nga Turqia dhe që kanë po të njëjtën dispozitë, sipas së cilës FSK-ja është përdorues i fundit i tyre.

Edhe këtë kërkesë, në formë urdhëri, duke iu referuar marrëveshjes, ka refuzuar ta përmbushë Gjenerallejtënant Rama. Këto kanë bërë që raportet midis komandantit të FSK-së dhe ministrit të Mbrojtjes të prishen shumë. Dhe për pasojë ka nisur procedura e shkarkimit të tij.

Gazeta ‘Enigma’ mëson se kandidatët kryesorë për të marrë detyrën e komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pas shkarkimit të Gjenerallejtënant Rrahman Ramës, janë Inspektori Gjeneral i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Gjeneralmajor Bashkim Jashari dhe Gjeneralmajor Gëzim Hazrolli, i ftuar, pa ndonjë sqarim në çfarë cilësie, si dëshmitar apo i dyshuar, nga Gjykata Speciale në qershor të vitit 2020.

Nga burime brenda Forcës së Sigurisë të Kosovës, merret vesh se gjasat më të mëdha për t’u konfirmuar si komandant i FSK-së i ka Gjeneralmajor Hazrolli, meqë Gjeneralmajor Jashari mund të mos e marrë aprovimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe as nga presidentja Vjosa Osmani./Gazeta Enigma/

Related Articles