Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se e mbështet vendimin e Qeverisë për hapjen e pikës kufitare në Merdar për mallrat që vijnë nga Serbia.
Ai ka thënë të hënën se ky vendim “shënon hap të rëndësishëm drejt zhbllokimit të CEFTA-s”, duke thënë se Gjermania do të përkrah Kosovën për të siguruar plotësimin e nevojave të sigurisë dhe monitorimin e proceseve në pikën kufitare.
“E mirëpres vendimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e pikës kufitare Merdar për mallrat nga vijnë Serbia. Ky vendim shënon një hap të rëndësishëm drejt zhbllokimit të CEFTA-s. Ne do të mbështesim Kosovën për të siguruar plotësimin e nevojave të sigurisë dhe monitorimin e proceseve në pikën kufitare”, thueht në njoftimin e tij në X.
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar gjatë ditës se besojnë që ndryshimi i masës së sigurisë për mallrat serbe, do të jetë i mjaftueshëm që vendi të ketë sukses në CEFTA dhe në Proces të Berlinit.
“Ne besojmë se ndryshimi i masës që e bëjmë është i mjaftueshëm që pasnesër në CEFTA dhe të hënën në Proces të Berlinit të kemi sukses të plotë…Jemi përcaktuar për Merdarin për shkak se aty është hapësira më e gjerë dhe terminali doganor është vetëm 300 metra larg nga vendkalimi kufitar. Nëse do të kishim një vendkalim tjetër kufitar atëherë terminali doganor do të ishte shumë më e largët. Mandej është e vështirë të kontrollosh se çka ndodh për një maune kur e kalon kufirin dhe vjen në terminalin doganor”, ka deklaruar ai kur është pyetur se a është koordinuar vendimi për ndryshim të masës së sigurisë për mallrat serbe me Gjermaninë.
Ai ka thënë se masat për ndalimin e mallrave serbe kanë qenë masa të sigurisë dhe jo tregtare.