Lideri i partisë konservatore gjermane CDU, Friedrich Merz, i cili pritet të jetë kancelari i ardhshëm i vendit, të martën tha se do të takohet të mërkurën me kancelarin në ikje, Olaf Scholz, për të vendosur rreth ndihmave shtesë ushtarake për Ukrainën, shkruan LeMonde, transmeton Gazeta Enigma.
Sipas Merzit, ndihma shtesë ushtarake drejt Ukrainës e kap shifrën e 3 miliardë eurove.
“Ne supozojmë se fondet do të lëshohen së shpejti”, ka shtuar ai. Fondet në fjalë ishin planifikuar që nga viti i kaluar, por ishin ngrirë prej kancelarit aktual Olaf Scholz.
Në të njëjtën kohë, CDU dhe socialdemokratët (SPD), dy parti këto që po negociojnë për formimin e qeverisë së re, njoftuan të martën se duan të bëjnë investime në vlerë prej miliarda eurove, në mënyrë që të forcojnë kapacitetet mbrojtëse dhe ekonomike të Gjermanisë.
Sa i përket mbrojtjes, të dy partitë politike planifikojnë që javën e ardhshme të propozojnë para parlamentit gjerman ndryshime në ligjet kushtetuese që e kufizojnë deficitin buxhetor.
“Duke marrë parasysh rreziqet që e kërcënojnë lirinë dhe paqen tonë në kontinent, fjala kyçe për mbrojtjen tonë duhet të jetë: pavarësisht çdo kostoje”, ka deklaruar Merz. /Gazeta Enigma