Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, të martën ka mbajtur një konferencë për media.
Ai i ftoi publikisht kryetarët e dy partive opozitare, Lutfi Hazirin nga LDK dhe Riad Rashitin nga PDK, për një takim zyrtar lidhur me miratimin e buxhetit komunal për vitin 2025.
Hyseni bëri të ditur se takimi ishte planifikuar të mbahej sot në ora 10:00.
Megjithatë, Partia Demokratike e Kosovës, dega në Gjilan e ka refuzuar ftesën, duke e cilësuar atë si të vonuar dhe të panevojshme.
“Partia Demokratike e Kosovës e konsideron tejet të vonuar ftesën zyrtare të kryetarit të komunës për t’u takuar me kryetarin e degës së PDK-së, Riad Rashiti, për të diskutuar seriozisht dhe profesionalisht lidhur me miratimin e buxhetit komunal për vitin 2025,” thuhet në reagimin e PDK-së.
Sipas PDK-së, situata e krijuar është rezultat i mungesës së pjekurisë politike nga ana e kryetarit Hyseni, e cila, sipas tyre, ka çuar komunën në një gjendje kaosi në të gjitha aspektet dhe fushat. /Gazeta Enigma