Çdo ditë raportohen dhjetëra raste të dhunës në familje nga të gjitha qytetet e Kosovës. Zakonisht viktima janë gratë të cilat përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga bashkëshortët e tyre. Këta të fundit nuk i kursejnë ato as kur janë në periudhën e shtatzënisë.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në fshatin Livoq i Epërm në Gjilan, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij e cila është shtatzënë.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 31-vjeçarja është dërguar për tretman mjekësor dhe më pas ka dhënë dëshminë e saj lidhur me rastin.
Sipas gruas, gjithçka ka ndodhur në lokalin e çiftit, ku 39-vjeçari e ka sulmuar viktimën dhe më pas ajo ka kërkuar që të shkojë në shtëpinë e prindërve të saj në Prishtinë. Bazuar në dëshminë e saj, pasi është kthyer në shtëpinë e përbashkët me bashkëshortin, ky i fundit ka ndërruar cilindrin e derës dhe ajo nuk ka mundur të futet brenda.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet për veprën penale ‘Dhunë në familje’.