Portieri Aridon Bllaca ka njoftuar zyrtarisht largimin e tij nga SC Gjilani, duke mbyllur një kapitull të rëndësishëm në karrierën e tij sportive pas gati dhjetë vitesh me klubin ku u formua si futbollist.
Në një mesazh emocionues lamtumire, Bllaca thekson se në Gjilan erdhi si fëmijë dhe po largohet si burrë, duke nënvizuar rritjen personale dhe profesionale që ka përjetuar gjatë gjithë kësaj kohe. Vendimi për t’u larguar, sipas tij, vjen pas një reflektimi të gjatë dhe përfaqëson hapin më të mirë për vazhdimin e karrierës së tij.
“Pas gati një dekade kam vendosur të marrë një rrugëtim të ri, duke menduar që kjo është zgjedhja më e mirë për karrierën time sportive”, shprehet portieri.
Bllaca nuk ka lënë pa falënderuar të gjithë ata që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të tij në klub: presidentë, drejtues, trajnerë, bashkëlojtarë, stafin mjekësor dhe personelin e klubit, duke theksuar se nga secili ka mësuar dhe ka marrë përvoja të vlefshme, si në momentet e vështira ashtu edhe në ato të gëzimit.
Një falënderim i veçantë dhe emocional i është drejtuar tifozërisë “Skifterat”, të cilën e cilëson si mbështetjen më të madhe që nga dita e parë e deri në momentin e largimit.
Në fund, Bllaca i uron SC Gjilanit dhe tifozëve suksese të mëdha sportive, duke lënë të hapur mundësinë e një ribashkimi në të ardhmen.
“Shpresoj që rrugët tona të bashkohen sërish një ditë”, përfundon ai.
