Gjithçka ndodhi dje ku tre persona humbën jetën nga rënia në lum

Gjithçka ndodhi dje ku tre persona humbën jetën nga rënia në lum

Të dielën e 22 majit, tre persona humbën jetën si pasojë e rënies në lumë, në mesin e tyre edhe dy fëmijë. Rastet kanë ndodhur në Klinë, Mitrovicë dhe Dragash.

Fillimisht dje u raportua se rreth orës 08:15 minuta të mëngjesit, në lumin e fshatit Deiq të Klinës, disa peshkatarë kishin tentuar ta nxjerrin një trup që e kishin parë, por më pas u lajmërua policia dhe FSK-ja.

Trupi i pajetë i viktimës u nxor nga lumi në orët e pasdites 500 metra larg nga vendi ku peshkatarët e kishin parë duke rënë.

Trupin e viktimës nga lumi kanë arritur ta nxjerrin ekipet e Kërkim-Shpëtimit të Zhytjes të Gardës Kombëtare të FSK-së.

“Gjatë ditës së sotme ekipet e Kërkim-Shpëtimit të Zhytjes të Gardës Kombëtare të FSK-së, pas marrjes së informacioneve për një person të rënë në lumë në fshatin Deiq të Komunës së Klinës, FSK ka angazhuar ekipet KSH për intervenim dhe në koordinim me Policinë e Kosovës kanë filluar operacionin e kërkimit- shpëtimit”, njoftoi FSK.

Një rast tjetër tragjik ndodhi pasditen e së dielës në fshatin Vaganicë të Mitrovicës, ku një fëmijë është gjetur pa shenja jete në kanalin e Ibër Lepencit.

Rastin e konfirmuan nga Policia e Kosovës, duke njoftuar se rasti kishte ndodhur rreth orës 17:50. Policia dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës.

“Bazuar në hetimet fillestare, dyshohet se viktima kishte hyrë në kanal për t’u larë”, deklaroi zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Jetën e humbi edhe një 6 vjeçar në Dragash, si pasojë e rënies në lumë nga një urë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.

“Dyshohet se 6 vjeçari derisa ka qenë duke luajtur me shokë, nga një urë ka ra në lumin fshatit Radesh të Dragashit. Policia së bashku me prokurorin në Prizren, kanë fillua hetimet dhe po e trajton rastin si vdekje e dyshimtë”, ka deklaruar Gashi.

Related Articles