Kosova është tronditur dje nga një vrasje makabre që ka ndodhur në rrugën “Mbreti Zog” në Pejë.
Një grua atje dyshohet se u vra nga djali i saj.
Rastin e konfirmoi zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova.
“Sot rreth orës 16:00 policia ka marrë një informacion në rrugën “Mbreti Zog” në Pejë, me të arritur në vendin e ngjarjes kemi parë është se bëhet fjalë për vrasje të rëndë teksa vdekjen e viktimës e ka konfirmuar ekipi kujdestar”, deklaroi Rugova.
Zyrtarët e Prokurorisë Themelore në Pejë e kanë përshkruar rastin si mjaft të rëndë.
Prokurorja e rastit, Sahide Gashi ka bërë të ditur se “dyshohet se i biri e ka privuar nga jeta të ëmën”.
“Kemi dalë në vendin e ngjarjes, së bashku me ekipin e forenzikës, janë izoluar të gjitha gjurmët, janë mbledhur të gjitha provat. Kemi urdhëruar autopsinë e të ndjerës”, tha prokurorja Gashi.
Sipas saj, janë siguruar edhe dëshmitarë të afërt të ngjarjes.
“Kemi provuar që të dyshuarin ta marrim në pyetje, në prani të mbrojtësit, mirëpo nuk ka qenë në gjendje të përgjigjet. Kemi urdhëruar që, nesër, në prezencë edhe të psikologut dhe avokatit mbrojtës, të provohet që të merret deklarata e tij”, theksoi prokurorja Gashi.
Ajo shtoi se në bazë të rrethanave, do të urdhërojnë edhe ekzaminimin e të dyshuarit në Instituin e Psikiatrisë Forenzike.
Ndërkaq, i dyshuari për vrasjen në Pejë është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit.
Lajmin e ka bërë të ditur Shkodran Nikçi nga Prokuroria Themelore në Pejë.
“Është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit”, ka treguar Nikçi.