Ditë më parë edhe në Kosovë ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal, shkruan Gazeta ‘Enigma’.
Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Gazetën ‘Enigma’, kanë thënë se në fillim të këtij viti kanë kontraktuar vaksinat për gripin sezonal.
“Po janë kontraktuar në fillim të këtij viti 140 000 doza të vaksinave kundër gripit sezonal, ku jjëherit kanë theksuar se UNICEF-i ka njoftuar që në Kosovë pritet të arrijnë në fund të muajit tetor”, kanë deklaruar nga kjo ministri.
Ministria e Shëndetësisë në këtë përgjigje kanë treguar se kush do të vaksinohet me vaksinat kundër gripit sezonal.
Sipas kësaj ministrie “Me këto vaksina do të vaksinohen grupet e të moshuarve, të sëmurët kronikë dhe shtatzënat si kategori priritare”.
Njëherit nga kjo ministri kanë bërë thirrje për vaksinim që të mbrojmë veten dhe të tjerët.
“Koha për vaksinim është tani, sepse vaksina ju mbron juve dhe njerëzit përreth nga gripi sezonal si dhe e ul ngarkesën e sistemit shëndetësor gjatë pandemisë COVID-19”.
Cilat janë kategoritë me prioritet për vaksinim kundër gripit sezonal?
Kategoritë me prioritet për vaksinim kundër gripit sezonal janë: Qytetarët mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe lehonat, personeli shëndetësor dhe fëmijët me indikacione shëndetësore.
Infektologu, Salih Ahmeti në një përgjigje për Gazetën ‘Enigma’ ka thënë se gripi shkaktohet nga viruset e Influencës A dhe B, virusi i gripit përhapet me anë të spërklave të nxjerra në ambientin e jashtëm nga njeriu i infektuar me kollitje, teshtitje, të folur apo drejtpërdrejt me kontakte të ngushta ndërnjerëzore.
“Muajt e ftohtë të vitit dhe grumbullimet e njerëzve në ambiente të mbyllura dhe jo mirë të ajrosura favorizojnë përhapjen e infeksionit.Virusi i gripit fillimisht vendoset në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, e ndonjëherë arrin të zbresë deri në alveole-mushkëri dhe jep pneumoni”, ka thënë Ahmeti.
Sipas Ahmetit periudha e inkubacionit (koha nga kontakti me virusin deri në shfaqjen e shenjave klinike) është e shkurtër, 1-4 ditë.
“Sëmundja fillon shpejtë me temperaturë të lartë (38-40 C) që zgjat 3-5 ditë, dhembje koke, dhembje të muskujve e nyjeve, ndjenjën e lodhjes dhe këputjes, humbje apetiti,vështërsi në frymëmarrje, ndonjëherë me të vjella dhe heqje barku(diarre)”.
Ai ka shtuar se krahas shenjave të toksikozës së përgjithshme shfaqen edhe ato lokale si tharje e fytit, lotim, rrjedhje e hundëve, kollë e thatë apo me sputum (këlbazë).
“Gripi mund të prekë të gjitha moshat receptive, por numri më i madh i rasteve takohet në moshat 5-15 vjeç”.
Ahmeti ka theksuar se “ndërlikimet e gripit janë të rralla e të lehta si sinuzitet, otitet, tonzilitet etj. Ndërlikimet më të rënda, që mund të rrezikojnë jetën e të sëmurit janë ato pulmonare (pneumonia virale-primare, pneumonia bakterore-sekondare), kardikae (miokarditi, perikarditi) dhe neurogjene (Syndroma Reye, neuritet, radikulitet, encefaliti)”.
“Në Republikën e Kosovës (vaksinimi i përshtatur për kushtet e vendit), bëhet me monovaksinë dhe nuk vaksinohen fëmijët nën 7 vjeç. Ekziston edhe vaksina e gjallë virale për aplikim nazal, por nuk ka gjetur përdorim masiv”, ka theksuar Ahmeti.
Sipas Ahmetit vaksina nuk rekomandohet për këta persona
“Personat alergjik në vezë apo në ndonjërën nga komponentët e vaksinës, personat me temperaturë të lartë ose sëmundje akute infektive, personat që trajtohen me kortizonik, citostatik (antitumoral) dhe personat me deficite të rënda imunitare”.
“Gratë shtatzëna dhe gjidhënëse duhet të konsultohen me mjekun para se të vaksinohen”, ka theksuar ai.
Efektet anësore të vaksinës
Sipas tij “Efektet anësore të vaksinës janë të pakta: dhembje koke, djersitje, mialgji, artralgji, temperaturë të lehtë apo reaksione lokale si: skuqje, dhembje dhe fortësi përreth vendit të vaksinimit”.
Ndërsa reaksionet alergjike në lëkurë, konvulsionet dhe çrregullimet nervore janë të rralla, ka thënë ai.
Vlen të theksohet se një raport nga Akademia e Shkencave Mjekësore parashikoi që shtrimet në spital dhe vdekjet nga gripi dhe virusi sincicial i frymëmarrjes (që shkakton infeksion në mushkëri, RSV) mund të jenë më shumë se dyfishi i atyre që shihen në një vit normal.
Studiuesit thanë se kjo mund të çojë deri në 60,000 vdekje nga gripi dhe 40,000 fëmijë në spital me këtë grip./Gazeta Enigma/