Gjithçka që ndodhi dje në Veri të Kosovës

Gjithçka që ndodhi dje në Veri të Kosovës

Në veri të vendit, të premten u protestua në mënyrë jo paqësore nga komuniteti serb, për të parandaluar hyrjen në ndërtesa komunale të kryetarëve të zgjedhur të Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit.



Izmir Zeqiri (Zubin Potok), Lulzim Hetemi (Leposaviq) dhe Ilir Peci (Zveçan) u betuan dje si kryetarë të zgjedhur në zgjedhjet lokale të 23 prillit, duke premtuar se do të qeverisin në mënyrë të ndershme dhe në përkim me interesat e qytetarëve, pa dallim etnie.

Por, betimi i secilit prej tyre nuk është bërë në objektet komunale të komunave përkatëse, pasi këto të njëjtat nuk janë liruar nga strukturat paralele serbe.

I gjithë operacioni ka qenë i koordinuar me organet shtetërore dhe Policinë e Kosovës, e cila çdo çast e më shumë shtohej në numër.

Nga këta të fundit, pesë zyrtarë policorë janë lënduar, dhe janë dëmtuar katër automjete zyrtare, njërës prej tyre i ishte vënë zjarri duke u dëmtuar në terësi.

Njësia Speciale i është bashkangjitur Policisë së Kosovës, bashkë me patrullat e KFOR-it dhe EULEX-it.

Tri vetura të EULEX-it janë sulmuar gjithashtu.

Përgjatë ditës, janë dëgjuar shpeshherë alarmet në këto qytete.

Teksa policët kanë arritur të depërtojnë në ndërtesat komunale, pas tyre kanë hyrë kryetarët, të cilët më pas janë vizituar nga Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Ndërkohë, Policia është përballur edhe me vendosje të kamionëve – barrikada, të cilët i ka larguar pa ekses.

Kjo situatë në veri ka ngjallur reagime të shumta nga ndërkombëtarët, të cilët edhe njëherë i kanë bërë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të koordinohen me ta dhe të mos përshkallëzojnë situatën.

“Ne dënojmë vendimin e Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjes tonë për përmbajtje. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që menjëherë të tërhiqen dhe të de-përshkallëzohen dhe të koordinohen ngushtë me EULEX-in dhe KFOR-in” thuhet në reagimin zyrtar të shteteve të QUINT-it.

Në anën tjetër, sipas presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, veprimet e Policisë kanë qenë legjitime.

“Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm, ndaj mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj. (Neni 2 i Kushtetutës). Veprimet e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e bandave kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim” ka thënë Osmani.

Policia ndërkohë bën të ditur se situata aktuale është e qetë dhe e monitoruar plotësisht nga ta.

Related Articles