Tenisti i njohur serb, Novak Gjokoviq, ka pranuar se ka thyer rregullat e izolimit pasi rezultoi pozitiv për COVID-19 muajin e shkuar, duke e përshkruar si “gjykim të gabuar”.
Në një postim në Instagram, Gjokoviq ka pranuar se ka takuar një gazetar për intervistë dy ditë pasi rezultoi pozitiv më 16 dhjetor.
“E pranoj se është dashur ta ricaktojmë orarin”, ka shkruar ai.
Aktivitetet e tij kanë nxitur reagime të Australisë që janë duke konsideruar nëse duhet ta deportojnë para turneut të madh të “Australian Open”.
“Jam ndier i obliguar për të vazhduar dhe për ta kryer intervistën për L’Equipe sepse s’doja ta zhgënjeja gazetarin. Jam siguruar që të ketë distancë sociale dhe maskë”, ka thënë ai.
Në postim, ai ka fajësuar agjentin e tij për gabim në formën e udhëtimit që shfrytëzoi për të hyrë në Australi. Komentet e tij kanë nxitur një hetim të ri. Sipas tij, agjenti ka bërë një gabim kur e ka mbushur dokumentin për historinë e tij të udhëtimit. Ky dokument është zotim se qytetari s’ka udhëtuar 14 ditë para hyrjes në Australi. Por 34-vjeçari kishte udhëtuar nga Serbia në Spanjë para Australisë.
Gjokoviq, që është i pavaksinuar, shpreson të mbrojë titullin e tij në Australi javën e ardhshme. Viza e tij u tërhoq më 6 janar pak pasi arriti në Australi pas pikëpyetjeve nëse ndaj tij po bëhet përjashtim nga masat e shtetit, që s’lejon hyrje pa vaksinim. Megjithatë, të hënën, një gjykatë vendosi se lojtari duhet të lihet i lirë për të hyrë. Por Qeveria s’ka marrë vendim të ri dhe ministri i Migrimit mund të anulojë për herën e dytë vizën e serbit. /Gazeta “Enigma”/