Gjykata e Hagës do t’i dëgjojë akuzat për gjenocid në Ukrainë të hënën dhe të martën

Gjykata e Hagës do t’i dëgjojë akuzat për gjenocid në Ukrainë të hënën dhe të martën

Tribunali Ndërkombëtar i Drejtësisë në Hagë, me kërkesë të Ukrainës, do të mbajë dëgjime publike për t’i deponuar akuzat për gjenocid.

Në një deklaratë publike të Gjykatës së Hagës, thuhet se të hënën dhe të martën e javës së ardhshme do organizohen dëgjime publike “lidhur me akuzat për gjenocid sipas Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimeve të Gjenocidit (Ukrainë v. Federatë Ruse)”.

Në kërkesën e saj që të hapë rast kundër Rusisë, Ukraina ka thënë se Rusia “në mënyrë të rreme ka pretenduar për akte gjenocidi” në rajonet separatiste Luhansk dhe Donetsk, mbi të cilin pretendim më pas është nisur “operacioni special ushtarak” kundër Ukrainës, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Ukraina ka mohuar këto pretendime, duke e akuzuar Rusinë se “po planifikon akte gjenocidi” në shtetin e saj, pas futjes së forcave të mëdha ushtarake, të cilat kanë sulmuar disa qytete të saj deri tani.

Këto dëgjime, sipas njoftimit, do të mbahen në Pallatin e Paqes në Hagë dhe do t’i dedikohen kërkesës së Ukrainës për caktimin e masave të përkohshme.

Në një deklaratë të veçantë të lëshuar sot, Tribunali i Hagës ka thënë se Presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi, gjykatësi Joan E. Donoghue, ka dërguar një shkresë urgjente te ministri rus për Punë të Jashtme, ku njoftohet me kërkesën e Ukrainës për përcaktimin e masave të përkohshme, lidhur me konfliktin e armatosur që ka shpërthyer mes dy shteteve.  

Related Articles