Ish-nënkryetarit të Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtakut dhe të tjerëve u është vazhduar masa e paraburgimit, si të dyshuar për incidentin që ndodhi më 2 korrik, ku mbetën të plagosur dy zyrtarë policorë.
Sinjali mëson se Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për vazhdimin e masës së sigurisë për Lushtakun dhe dy familjarët e tij, për shkak të veprave “Sulmi ndaj personit zyrtar”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Kujtojmë se Lushtaku fillimisht ishte liruar, por pas grumbullimit të provave Prokurori i Shtetit ka lëshuar vendimin për ndalimin e tij.
Sipas Prokurorisë “ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit F.L., A.L., dhe N.L., me datë 02 korrik 2022 rreth orës 23:45 në Skenderaj, kanë sulmuar dy zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Skenderaj me iniciale E.B., dhe M.G., që kanë qenë në detyrë zyrtare, dhe gjatë sulmit ka rezultuar me lëndime të zyrtarëve policorë, dhe njëri zyrtar policor është goditur me predhë të armës në këmbë”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.