Pas 6 vitesh, Gjykata Themelore në Pejë ka konstatuar se nuk është vërtetuar se ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe të tjerët kanë kryer veprat penale për të cilat akuzoheshin, duke përfshirë krimin e organizuar dhe shpërdorim të detyrave zyrtare.
Kjo është bërë e ditur nga avokatja e të akuzuarit, Vehbi Geci, Aurora Mulhaxha përmes një postimi në facebook.
“Trupi Gjykues i Gjykatës Themelore Peje, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve nga fjala perfundimtare e mbrojtjes, ka konstatuar se nuk eshte vertetuar se i mbrojturi im Vehbi Geci, dhe te pandehurit tjere Qemajl Mustafa, Hatixhe Daku, Qefsere Sadriu, Ilaz Rashiti, Musa Nasufi, Muhamet Kastrati, Fatmir Halili, Drita Bajrami, Agim Hoxha, Ramush Musliu, Selvije Shefkiu, Ganimete Kastrati, Shemsedin Qerimi, Merita Canaj Shabani, Ibrahim Foniqi, Hamdi Ismajli, Fadil Osmani, Heset Asllani, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Naser Sylejmani, Zeqirja Fazliu, Azem Mujku dhe Nazim Jashari, Avdil Pireva, Rrustem Hajdari, Florim Zuka, Skënder Imeri, Naser Mehmeti, Mejdi Ahmeti, Asllan Asllani dhe Asllan Syla, kan kryer veprat penale te cilat ju viheshin ne barre, dhe sot pas 6 viteve”, ka shkruar Mulhaxha në Facebook.
Avokatja Mulhaxha këtë periudhë e ka quajtur si sakrificë të madhe, ku mbrojtja e të akuzuarit nuk ishte vështirësi në krahasim me vuajtjen shpirtërore e financiare që ishte dashur të mbajë mbi supe.
“6 vite plot mund, sakrificë, rrugëtim i gjate, ku për asnjë moment mbrojta nuk ka qen e vështirë e gjithmonë nen respektim te Kodit te Procedurës penale, e vështire ka qene pamundësia ime ta paraqes para trupit te respektuar Gjykues vuajtjen shpirtnore, emocionale, morale dhe financiare te te mbrojturit tim, te reflektuar ne mënyrën e shkatërrimit te përditshëm të tijë”, shkroi ajo.
Artikulli 11 i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, të Kombeve të Bashkuara, e thotë se barra e provës i takon prokurorisë, e cila duhet të mbledhë dhe të paraqesë mjaft dëshmi bindëse për të bindur trupin gjykues, i cili është i kufizuar nga ligji që të marrë parasysh vetëm prova dhe dëshmi që janë ligjërisht të pranueshme dhe të marra në mënyrë të ligjshme, që i pandehuri është fajtor përtej dyshimit të arsyeshëm. Nëse pas punës së prokurorisë mbetet dyshim i arsyeshëm, atëherë i akuzuari duhet të shpallet i pafajshëm.
Njejtë ndodhi edhe në rastin e të akuzuarve të lartpërmendur, të cilët tani janë të liruar si të pafajshëm. / Gazeta Enigma.