Ish kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, këtë të hënë është në një vizitë tek familja e tij në Mitrovicë, pasi të premten i vdiq nëna.
Gjykata Special i ka dhënë leje humanitare Veselit që ta vizitojë familjen e tij, por nuk ka bërë të ditur se sa do të zgjatë kjo leje.
Në një përgjigje për Gazetën ‘Enigma’, Gjykata Speciale thotë se për arsye operacionale nuk mund të japin asnjë informacion në lidhje me vizitën e Veselit në Kosovë.
“Për arsye operacionale dhe për të respektuar privatësinë e z. Veseli, nuk mund të japim asnjë informacion shtesë për vizitën në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e Speciales.
Gjykata Speciale tha se EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara në menaxhimin e vizitës së Veselit në Kosovë.
Kujtojmë se të premtën e 7 janarit, ish kryetarit të PDK-së i vdiq nëna e tij, Ajshe Veseli, gjë që e bëri atë ta vizitojë Kosovën për të tretën herë nga Haga me të njëjtën arsye lirimi, atë humanitare./Gazeta Enigma/