Gjykata Supreme i ka liruar nga paraburgimi tri infermieret e dyshuara për sulm fizik ndaj të moshuarës në Qendrën “Orenda” në Pejë.
Lajmin për Gazetën Enigma e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka-Lutfiu.
“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojme se Kolegji gjyqesor i Gjykates Supreme, e ka pranuar si te bazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë te mbrojtësit të pandehurës A.R., avokatit Blerim Ademaj”, ka deklaruar Uka-Lutfiu, derisa theksohet se ato do të mbrohen në liri.
Ndryshe, pamjet që u xhiruan brenda kësaj qendre u bënë virale dhe nxitën reagime të ashpra. Aty shfaqej një infermiere duke e rrahur një të moshuar, derisa koleget e saj qeshnin e argëtoheshin me këtë skenë.
Të moshuarën e kanë larguar familjarët nga qendra, e infermierët janë arrestuar dhe u është revokuar licenca përkohësisht. Ato dyshohen se kanë kryer veprën penale “sulmi”. Gjykata Themelore e Pejës ua kishte caktuar të njejtave masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Caktimin e kësaj mase, Gjykata e kishte arsyetuar me rrezikun e ndikimit në dëshmitarë, që janë pjesë e stafit të shtëpisë së kujdesit shëndetësor ku ka ndodhur vepra penale e të cilët nuk janë identifikuar dhe deklaruar ende, si dhe në deklaratën e viktimës. Po ashtu, thuhet se ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale.
“Të pandehurave iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh pasi që gjyqtari i procedurës paraprake, në vlerësim të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë për caktim të masës së paraburgimit ndaj të pandehurave konstatoi se ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtat e kanë kryer veprën penale që ju vihet në barrë ngase ky dyshim mbështetet në provat që janë dorëzuar nga prokuroria dhe se me gjetjen e mundshme të pandehurave në liri ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë të cilët janë pjesë e stafit të shtëpisë së kujdesit shëndetësor ku ka ndodhur vepra penale e të cilët nuk janë identifikuar dhe deklaruar ende, si dhe ndikimit në deklaratën e të dëmtuarës pasi që e njëjta është në gjendje të rënduar shëndetësore dhe nuk është deklaruar ende”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.