Gjykatësi amerikan vret veten pak para arrestimit

Gjykatësi amerikan vret veten pak para arrestimit

Një gjykatës amerikan kreu vetëvrasje pak çaste para se të arrestohej nën dyshimet për vendosjen e një kamere të fshehur në banjën e vet për të siguruar pamje të djemve të zhveshur.



Jonathan Newell, 50 vjeç, ishte i pezulluar nga korriku nga posti i gjykatësit të qarkut në distriktin Caroline, në Maryland, për shkak të dyshimeve kundër tij, shkruan Independent.

Kur agjentët e FBI-së arritën në shtëpinë e tij në Henderson të premten në mëngjes për ta arrestuar, gjykatësi u gjet i plagosur nga plaga e shkaktuar qartazi nga vetë i dyshuari.

Zyra e Prokurorit në Maryland konfirmoi se gjykatësi u shpall i vdekur në orën 6 e 43 minuta të mëngjesit të së premtes. “Policia Shtetërore e Maryland-it do ta udhëheq hetimin për vetëvrasje”, thanë prokurorët në një deklaratë.

Fqinja e gjykatësit tashmë të ndjerë, Kimberly Keith, shkroi në Facebook se agjentët e FBI-së ishin vendour afër shtëpisë së gjykatësit, duke i bërë thirrje me autoparlant që të dilte jashtë. Ajo tha se në një moment u dëgjuan të shtëna dhe se në vendin e ngjarjes shkoi një auto-ambulancë.

Në ankesën ligjore thuhet se policia ishte njoftuar në korrik nga një i mitur për rastin. I mituri kishte thënë se ka gjetur një kamerë në banjën e kabinës së gjykatësit.

Hetuesit intervistuan dy djem, të dy të mitur, të cilët thanë se e gjetën kamerën në kabinë, kur e kishin kaluar natën me gjykatësin. Djemtë fillimisht i informuan prindërit për incidentin, ndërsa këta të fundit më pas i njoftuan organet e rendit.

Kur u mor në pyetje, gjykatësi kishte thënë se nuk dinte asgjë për kamerën, por dyshohet se ai e kishte gëlltitur pajisjen e kamerës për ruajtjen e pamjeve. Me një skanim CT u vërtetua se i dyshuari kishte në organizëm një objekt të huaj, thuhet në dokumentet e organeve të drejtësisë.

Kur autoritetet ia bastisën kabinën, shtëpinë dhe zyrën gjykatësit të dyshuar, konfiskuan disa pajisje digjitale, përfshirë një “hard drive”, për të cilin dyshojnë se përmban video të djemve duke u pastruar. Videot raportohet se datojnë që nga shtatori i vitit 2014.

Related Articles