I akuzuari për veprën penale “keqpërdorimi i besimit”, Hamdi Krasniqi ka thënë se nuk i beson drejtësisë. Një gjë të tillë ai e ka thënë gjatë seancës të së martës, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, derisa ka dhënë mbrojtjen e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë rast, për veprën penale të vetëgjyqësisë po akuzohet edhe Ranko Stefanoviç.Gjatë marrjes në pyetje nga prokurorja Huma Jetishi, i akuzuari Krasniqi ka thënë se kombin “Wolsfagen”, ia kishte dhënë të akuzuarit tjetër Stefanoviç, por që nuk e dinte se ku kishte shkuar ai më pas.
“Përmes telefonit më ka thonë Ranko se po vi me mar kombin, i kom thonë “hajde mere”. Një muaj para se me lon punën, i kom thonë të dëmtuarit se nëse don eja dhe merre kombin. Ia kom lon kombin hatri i punëtorëve dhe jo të dëmtuarit. Mua personalisht i dëmtuari nuk më ka mbetur borxh për punën që e kom bo”, deklaroi i akuzuari Krasniqi.
Me atë kombi, sipas të akuzuarit kanë udhëtuar edhe punëtorë tjerë, respektivisht katër shqiptar dhe tre serb. Sipas tij, personi tashmë i ndjerë E.K., kombin në fjalë e kishte blerë për të (të akuzuarin) që ai të udhëtoj për të shkuar në punë, derisa i akuzuari ka qenë duke punuar në punëtorinë e E.K.
Derisa gjykatësja Valbonë Dërvodeli e ka njoftuar të akuzuarin se janë organet kompetente ku ai dhe të tjerët munden t’i paraqesin pretendimet e tyre lidhur me borxhet e mbetura nga ish-punëdhënësi i tyre, i akuzuari Krasniqi ka thënë se nuk i beson drejtësisë.
“Vallah drejtë me kallxu, që 18 vjet përvojë pune i kom, në drejtësi hiç nuk besoj”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë se nuk ka njohuri nëse Ranko a i ka bartur punëtorët me kombin përkatës apo jo derisa atë e kishin kontaktuar policia lidhur me rastin.Ndryshe, në seancën e së martën ka dhënë dëshminë e tij dëshmitari Adnan Dërmaku.
Ai ka thënë se ka qenë pronar i kombit në fjalë me ngjyrë të bardhë dhe atë ia kishte shitur E.K., tashmë të ndjerë.
Dëshmitari Dërmaku ka thënë se në momentin e shitjes së këtij kombi, prezent ka qenë blerësi E.K., dhe i akuzuari Hamdi Krasniqi, ku E.K., sipas tij, kishte deklaruar se këtë kombi po e blenë për të akuzuarin Krasniqi, të cilin do ta përdorë për udhëtim në punë.
“Në atë kohë Hamdia ka qenë tu punu në “Sharra” në Rogaçicë. Kombi oshtë në emër tem, i ka dal regjistrimi. Unë jam në gjendje me ja u qitë përmi veti që don me regjistru Hamda”, ka thënë dëshmitari.
Ai ka thënë se është i sigurtë se kombin i cili ka qenë pronë e tij e ka lënë në punëtorinë e E.K., dhe prej aty, atë e ka marr Hamdiu, por që më pas më asgjë nuk dinë për të. Seanca e radhës u caktua më 22 korrik 2021, në ora 09:00, ku pritet të jep mbrojtjen i akuzuari Ranko Stefanoviç.
Prokuroria Themelore në Gjilan, më 30 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Hamdi Krasniqit dhe Ranko Stefanoviç, duke i ngarkuar ata me veprën penale “keqpërdorimi i besimit”, nga neni 330 paragrafi 1, përkatësisht veprën penale “vetëgjyqësia”, nga neni 410 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).Sipas aktakuzës, Hamdi Krasniqi më 2 dhjetor 2019, në kohë të papërcaktuar në fshatin Dajkovc të Kamenicës, gjatë kujdesit për interesat pasuroe të tjetrit ka keqpërdorur autorizimet e tij.
Në aktakuzë thuhet se, Krasniqi ka punuar tek fabrika e peletit, pronar i së cilës ka qenë i dëmtuari Afrim Demaj, dhe se veturën-kombin “Wolsfagen” e ka shfrytëzuar i akuzuari derisa ka punuar tek i dëmtuari, ku ky kombi rreth dy muaj kishte mbetur në oborrin e të akuzuarit sepse ishte e prishur, dhe të njëjtin pa pëlqimin e të dëmtuarit Demaj i akuzuari Krasniqi ia kishte dhënë të akuzuarit tjetër Ranko Stefanoviç, i cili këtë kombi të të dëmtuarit e kishte shitur në deponi te hekurit në fshatin Berivojcë.
Në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se, Ranko Stefanoviç më 2 dhjetor 2019, në kohë të papërcaktuar në fshatin Bratillovc të Kamenicës, ushtron në mënyrë arbitrare të drejtën e cila mendon se i takon në vend se t’i drejtohet organeve kompetente.
Sipas prokurorisë, i akuzuari Stefanoviç kishte punuar tek fabrika e peletit në fshatin Tuxhec, pronar i së cilën ishte i dëmtuari Afrim Demaj, dhe për shkak se i dëmtuari nuk ia kishte dhënë atij pagat që i takonin, veturën-kombin “Wolsfagen” ngjyrë të bardhë dhe veturën-kombin tjetër “Wolsfagen” ngjyrë të gjelbër i ka shitur për hekur në një deponi në fshatin Berivojcë, shkruan Betimi për Drejtësi.