Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka reaguar ashpër gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pasi pesë nga nëntë sa janë gjithsej, votuan kundër ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke e shpallur të pavlefshëm, njofton Gazeta Enigma.
“16 muaj iu deshën Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar përputhshmërinë e Ligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Pas 16 muajve, pra sot, kuptuam që Ligji është shpallur i pavlefshëm. 5 gjyqtarë nga 9 sa janë gjithësej vendosën që Ligjin më të rëndësishëm në kuadër të pakos kundër korrupsionit e keqpërdorimit të detyrës zyrtare ta shpallin të pavlefshëm”, shkroi Haxhiu në një postim në Facebook.
Haxhiu tha se PDK-ja e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese këtë projektligj “për të bllokuar e sabotuar reformën tonë në drejtësi si njërin prej dy prioriteteve tona kryesore, e për ta vonuar konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme”.
“ Arsyet për këtë tashmë i kanë të qarta të gjithë”, shkroi Haxhiu.
Ajo tha se nën udhëheqjen e Ministrisë së Drejtësisë, si njëra prej çështjeve më prioritare të Qeverisë së Republikës së Kosovës, së bashku me ekspertë të fushës, ish-gjyqtarë të Gjykatës së Strasburgut, në koordinim të plotë edhe me Komisionin e Vendikut kemi përfunduar Ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme “si përgjigje ndaj fenomenit që e ka gërryer për vite të tëra pasurinë publike e etikën e zyrtarit të lartë publik”.
“Në mënyrë që gjithçka të jetë përbrenda parimeve dhe standardeve më të larta të BE-së, kemi inkorporuar secilin rekomandim të institucionit më të lartë të Këshillit të Evropës siç është Komisoni i Venedikut”.
“Situata për ne është shumë e qartë, vullneti i qytetarëve për drejtësi po tentohet të përmbyset nga një grusht njerëzish që ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër, por beteja jonë për reformë dhe shtet të së drejtës nuk do të ndalet. Byroja do të bëhet. Pasuria publike e shpërdoruar e përvetësuar do të konfiskohet. Vullneti popullor do të jetësohet”, përfundoi ministrja. /Gazeta Enigma