Gjyqtarët serb kanë ndërprerë bojkotin, duke iu rikthyer punës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, derisa të gjitha seancat gjatë ditës janë mbajtur pa ndonjë problem.
Gjyqtarët kanë nisur përsëri punën, përkundër që nuk u është plotësuar kërkesa kryesore, rikthimi në punë i kryetares së Gjykatës, Liljana Stevanoviq.
Pas një bojkotimi një javor të punës, gjyqtarët serb në Gjykatën Themelore të Mitrovicës i janë rikthyer përsëri punës. Ata janë parë gjatë së martës duke hyrë në objektin e Gjykatës.
Rikthimin e normalitetit në Themeloren e Mitrovicës, e kanë konfirmuar edhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
“Po, e vërtet është, z.Bekim Veliqi, u.d. i Kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ka konfirmuar që të gjithë gjyqtarët janë kthyer në punë”, ka njoftuar Gjykata.
Veliqi prapa kamerës i ka treguar televizionit se edhe në kohën kur gjyqtarët serb kanë qenë në bojkot, seancat urgjente nuk kanë dështuar.
Në Mitrovicë seancat e rregullta nisën të mbahen nga e hëna.
“Dje e kemi mbajtë seancën, e gjithashtu edhe sot. Sa i kam pyetur kolegët e tjerë edhe ata që kanë pasur lëndë të tjera, edhe ata më kanë informu që i gjithë personeli i nacionalitetit serb është kthyer në punë”, ka deklaruar avokati Kadri Osaj.
Gjyqtarët serb bojkotuan punën nga 25 marsi. Ata u bënë pjesë e kësaj proteste, që kërkesë kishte rikthimin e Liljana Stevanoviq në krye të Gjykatës Themelore të Mitrovicës.
Stevanoviq u suspendua nga kjo pozitë pasi mori pjesë në takimin e Këshillit të Sigurisë së Serbisë, që u ftua nga Presidenti Aleksandar Vuçiq.